Shpëtohen 84 migrantë, 220 të tjerë mbërrijnë në Sicili

Gjithsej 84 emigrantë, gomonia e të cilëve po mbytej, u shpëtuan sot në brigjet e Libisë, ndërkohë që 220 të tjerë kanë zbarkuar në Catania të Sicilisë, njoftuan rojat bregdetare italiane.

Bota

23/04/2015 22:17

Pas ndihmës së kërkuar në mëngjes nëpërmjet një telefoni satelitor, rojat bregdetare italiane kanë dërguar anijen e tyre ”Fiorillo” në brigjet libiane.

Anija italiane mbërriti në momentin e duhur për t’i ardhur në ndihmë 84 udhëtarëve migrantë, të gjithë persona nga Afrika sub-sahariane, para se gomonia e tyre të mbytej.

Më pas, anija e patrullimit ”Denaro” e policisë doganore dhe financiare u ankorua në Catania me 220 persona, gjashtë prej të cilëve gra, të shpëtuar rreth 40 kilometra larg bregdetit libian.

Një samit evropian është thirrur sonte për të diskutuar për masat kundër trafikimit të emigrantëve në Libi, pas mbytjes së një peshkarexhe, që shkaktoi të paktën 750 të vdekur.