Shpërthimi në zyrën elektorale, LSI: Tritoli gjendet në duart e Rilindasve

Një sasi lënde shpërthyese tritol u vendos në zyrën elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim në lagjen numër 18 në Durrës. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, ndërsa fatmirësisht pati vetëm dëme materiale, pasi shpërthimi është bërë gjatë natës dhe në zyrë nuk ka pasur njerëz.

Lajme

23/06/2017 18:33

Dega e LSI-së në Durrës, akuzon për ngjarjen përfaqësues të PS-së.

Në një reagim të kësaj force politike në rrjetin social Facebook, thuhet se “tritoli gjendet në duart e Rilindjes”.

LSI-ja bën një krahasim duke thënë se ende nuk është gjetur se kush i vendosi tritol babait të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, e jo më të zbulohet autorësia e tritolit në zyrën e LSI-së.

“Rilindasit ende nuk kanë gjetur kush i vuri tritolin Bashkim Tahirit, babait të Sajes, jo më të gjejnë kush vuri tritolin në zyrën e LSI, Lagjen 18, Durrës, ku vetëm 5 metra më tutje prej 2 ditëve po ruhen kutitë e fletëve të votimit në shkollën e Fizkulturës “Benardina Qeraxhi”. Ne kishim dhe kemi shumë arsye të besojmë se tritoli gjendet në duart e Rilindasve , por serish kërkojmë drejtësi Ne besojmë tek socialistët durrsakë të ndershëm, por nuk mund të heshtim para Rilindjes së Krimit në Durrës”, thotë LSI e Durrësit në reagimin e saj.