Shpërndarje partiake e Buxhetit

LDK akuzon Kryeministrin Hashim Thaçi se po shfrytëzon paratë e buxhetit për qëllime elektorale, duke ua shpërndarë rreth 4 milionë euro komunave ku udhëheq PDK.

Lajme

29/10/2013 13:35

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Kryeministrin Hashim Thaçi se gjatë rishikimit të buxhetit, ka reduktuar buxhetin e disa institucioneve për rreth 5.7 milionë eurove, duke anuluar projekte të rëndësishme kapitale.

Sipas LDK’së, këto para u janë  ndarë komunave ku udhëheq partia e tij, për qëllime elektorale.

Avdullah Hoti ka thënë se LDK e sheh këtë si abuzim me paranë publike, dhe me këtë veprim.

“Thaçi e ka kuptuar se po i vjen fundi qeverisjes të tij. LDK vlerëson se këto janë vendimet e fundit të qeverisë në largim”.

Sipas Hotit, Kryeministri Thaçi rreth 4 milionë  ua ka shpërndarë komunave të udhëhequra nga PDK.

“Këto mjete janë shpërndarë kryesisht për komunat e qeverisura nga PDK”.

“Komunës së Skënderajt i janë ndarë 1 milion euro, Komunës së Gjilanit 1 milion euro, Komunës së Mitrovicës 600,000 euro, Komunës së Malishevës 500,000 euro, Komunës së Klinës 600,000 euro, Komunës së Prizrenit 50,000 euro”, u shpreh Avdullah Hoti.

“LDK konsideron se kjo paraqet abuzim me paranë publike për të arritur për qëllime elektorale”.

“Qeveria që udhëhiqet nga ai, tani në kohë fushate ka reduktuar buxhetin nëpër institucione të ndryshme në vlerë prej 5.7 milion euro, duke anuluar projekte të rëndësishme kapitale që janë pjesë e Ligjit të Buxhetit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Ministrisë së Drejtësisë i janë marrë 601,478 euro, Prokurorisë së Shtetit 177,152 euro, Forcës së Sigurisë 462,000 euro, Avokatit të Popullit 77,750 euro, Kuvendit të Kosovës 223,928 euro, Ministrisë së Tregtisë 400,000 euro, Ministrisë së Diasporës 87,000 euro”.