Shpërblehet mos puna e akademikëve

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ka zgjedhur udhëheqësinë e re. Hyvzi Islami është rizgjedhur kryetar i ASHAK-ut.

Lajme

24/12/2014 15:37

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ka zgjedhur udhëheqësinë e re. Kritikat e shumta të adresuara në institucionin që ishte dashur ta mbledhë “trurin” e shtetit, duket se kanë qenë të pabaza. Në shtëpinë më të rëndësishme të dijes në vend, është rizgjedhur kryetari i deritashëm, Hivzi Islami.

Në afro pesë vjetët e kaluara, shqiptarët dhe Kosova janë përballur me shumë publikime nga institucionet si motra nga shtetet fqinje, të cilat kanë denigruar dhe përçmuar faktorin shqiptar dhe historinë e tij në rajon.

Ishte Akadamedia e Shkencave dhe Arteve  të Maqedonisë, e cila përmes botimit të një enciklopedie, kishte botuar tekste të cilat pretendonin se shqiptarët janë etnitet i ardhur në Maqedoni, duke tentuar t’i paraqesin si jo autokton.

Përderisa akademitë e shteteve të rajonit bëjnë publikime edhe për shqiptarët, ASHAK nuk ka marr mundin që të bëjë edhe ndonjë dokument serioz në këtë aspekt të paktën për Kosovën, përveç disa iniciativa personale.

Kjo ka bërë që në drejtim të këtij institucioni të ketë kritika të shumta. Mirëpo e gjithë kjo mospunë, duket se nuk ka ndikuar tek anëtarët e ASHAK-ut, që të ndryshojnë diçka. Kryetari vazhdon të mbetët i njëjti.

Sipas një njoftimi të ASHAK, thuhet se pas mbajtjes së Kuvendit të këtij institucioni, i cili i ka mbajtur zgjedhjet e rregullta të udhëheqjes së akademisë, është zgjedhur dhe kryesia e re e kësaj akademie.

Përveç kryetarit Hyvzi Islami, i cili është rizgjedhur kryetar i këtij institucioni, udhëheqësia ka pësuar pak ndryshime. Nënkryetar i kësaj akademie është zgjedhur akademik Pajazit Nushi. Ndërsa, sekretar i përgjithshëm është zgjedhur akademik Isuf Krasniqi, thuhet në njoftim të ASHAK-ut.

Kuvendi i Akademisë, gjithashtu ka verifikuar zgjedhjen e sekretarëve të seksioneve. Akademik Eqrem Basha, është zgjedhur sekretar i seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë. Anëtar korrespodent është zgjedhur Jusuf Bajraktari, sekretar i seksionit të Shkencave Shoqërore.

Akademik Fejzullah Krasniqi, është zgjedhur sekretar i Seksionit të Shkencave të natyrës dhe anëtar korrespodent Luan Mulliqi, është zgjedhur sekretar i seksionit të arteve.