Shpend Ahmeti premton rimëkëmbjen e Pallatit të Rinisë

Shpend Ahmeti tha se do të ketë disa faza, ku në fillim do të fokusohet në ato emergjente, që sipas tij janë pagesat e punëtoreve dhe borxhet e pallatit.

Lajme

08/11/2018 14:08

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti sot ka vizituar Pallatin e Rinisë, e para kjo pas kalimit në pronë komunale.

Ahmeti tha se deri në fund të vitit do të ketë një ide më të qartë për rimëkëmbje, siç e cilëson ai “gjigantit të Prishtinës”.

Kryetari i Prishtinës tha se do të ketë disa faza, ku në fillim do të fokusohet në ato emergjente, që sipas tij janë pagesat e punëtoreve dhe borxhet e pallatit.

“Do të ketë disa faza të rimëkëmbjes, faza e parë është emergjente, duhet ta stabilizojmë, sa i përket dhe pagave të punëtorëve, pastaj dhe në borxhe, sepse borxhet arrijnë mbi tre milionë euro, duhet ta ri-programojmë atë borxh”, tha ai.

Ahmeti u shpreh se bashkë me aksionarët dhe drejtorin e Pallatit të Rinisë do të diskutojnë disa projekte për rimëkëmbje të pallatit, ku përfshihen, parkingun që është tek salla e djegur, qendrën kulturore të fëmijëve, ku janë Salla e Kuqe, Galeria, etj.

Ndërsa, drejtori i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli, tha se pas një kohe të gjatë, Pallatit të Rinisë pritet t’i kthehet vlera.

Pasi, sipas tij ky Pallat është gjendur në vështirësi të mëdha, si me objekt, ashtu dhe me paga të punëtorëve.

Gjatë kësaj vizite kryetari Ahmeti konfirmoi edhe njëherë vendimin për shkarkimin e dy drejtorëve nga lëvizja Vetëvendosje.