Shoqëria civile s’e ka ndërmend të ndalet në kërkesat për “Drejtësi për Astritin”

Shoqëria civile thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet deri sa të plotësohen kërkesat e saj në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, aktivist i Vetëvendosjes, që sot një muaj ndërroi jetë në burgun e Prizrenit.

Lajme

05/12/2016 18:53

Florina Duli ka rikujtuar kërkesat për hetim të pavarur dhe transparent për rastin, dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Ministres së Drejtësisë, fillimin e ndjekjes penale të përgjegjësve që nuk garantuan sigurinë në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij, si dhe të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në Kuvend të Kosovës për rastin e Astrit Deharit.

“Ne kemi kërkuar sqarime për vdekjen e Astrit Deharit. Jemi të bindur se të gjithë familja dhe qytetarët e Kosovës duhet të dinë si dhe pse vdiq Astriti. Cilat ishin rrethanat e vdekjes së tij. Pse u lëshuan deklarata kontradiktore nga institucionet. Duam t’ua kujtojmë institucioneve detyrimin e tyre ligjor e kushtetues, për kërkesën e popullit, një nga to peticioni i nënshkruar prej rreth 30 mijë personave. Masat e mara deri sot janë të papranueshme dhe nuk do të ndalemi deri sa të tërhiqen ministrat përgjegjës dhe të gjithë personat që janë përgjegjës për këtë vdekje”, ka thënë Duli në një konferencë të mbajtur në shesin “Zahir Pajaziti”.

Astrit Dehari ndërroi jetë një muaj më parë në burgun e Prizrenit, ku po mbahej nën dyshimin për sulmin në ndërtesën e Kuvendit. Raporti i autopsisë ka gjetur se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia e shkaktuar nga vetë ai.