Shoqata e Qumështorëve: AUV përgjegjës kryesor për rrezikimin e konsumatorëve

Shoqata e Qumështorëve e ka fajësuar Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës për rrezikun e konsumtarëove, me produktet që po dalin me afat të skaduar.

Lajme

10/04/2018 15:37

Ky është reagimi i plotë:

Shoqata e qumështoreve ka ngritur zërin disa herë në mbrojtje të konsumatorit dhe prodhimit vendor.

Duke parë se çfarë po ndodh në kohët e fundit me produktet ushqimore e sidomos me produktet e qumështit, duam që edhe njëherë të shprehim zhgënjimin e madh dhe preokupimin e vazhdueshëm që kemi lidhur me mosveprimin e institucioneve kryesore përgjëgjëse për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve si dhe të prodhimit vendor.

Në krye të përgjegjësië sigurisht që qëndron Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës, të cilët i kemi njoftuar në vazhdimësi lidhur me problemet në fushën prodhimtarisë së qumështit dhe rreziqeve për konsumatorët.

Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës (AUV) më shumë sesa të kryej obligimet e veta ligjore.

Për më tepër në baza të besimit dhe dëshirës për zhvillim të marrëdhënieve të mira, jemi munduar që të krijojmë një komunikim të shëndoshë me AUV-në dhe ta informojmë këtë agjencion duke i ofruar fakte të ndryshme lidhur me shkeljet flagrante dhe të vazhdueshme që kanë ndodhur në këtë sektor.

Më poshtë po i përmendim disa prej tyre, e me të cilat së pari e kemi njoftuar AUV-në me kohë:

  1. Kemi dërguar për analizë në Institutin për Mjekësi Veterinare në Shkup disa produkte me deklarim mashtrues dhe me rezultatet brengosëse të këtyre analizave kemi njoftuar opinionin dhe AUV-në qysh në janar të vitit 2017.
  2. Kemi hartuar një listë me produktet me deklarim të rrejshëm qofshin ato vendore apo nga importi e që gjenden në raftet e marketeve kosovare.
  3. Kemi ofruar dëshmi se në Kosovë ka importe të mëdha të vajit të palmës, i cili përfundon i përzier me produktet e qumështit.
  4. Kemi ngritur shqetësimin për përdorimin substancave tjera të rrezikshme në produkte të qumështit, siq janë edhe proteinat me modifikime gjenetike.
  5. Kemi bërë Kallëzim Penal ndaj prodhuesve të papërgjegjshëm dhe AUV-së në mënyrë që të nxisim veprimin e këtyre të fundit.

Përkundër gjithë kësaj AUV ka heshtur dhe në një komoditet të çuditshëm ka anashkalur të gjitha faktet dhe brengat tona si prodhues të qumështit.

Me këtë AUV ka lejuar rrezikimin e vazhdueshëm dhe disa vjeçar të shëndetit të konsumatorëve si dhe dëmtimin e prodhuesit serioz vendor. Ndërkohë që me heshtjen e vet është vënë në mbrojtje të prodhuesve dhe importuesve që po mashtrojnë konsumatorin me prodhime të rrezikshme për më shumë se një dekadë.

Për më tepër AUV gjatë vitit 2017 ka marrë mostrat e produkteve të qumështit nga të gjithë prodhuesit vendor dhe i ka dërguar ato për analizë, ndërsa rezultat e këtyre analizave i ka mbajtur gjithnjë të fshehta.

Sikur edhe herave tjera AUV po tregohet jotransparent, njejtë siq është edhe rasti i mishit të prishur.

Duke parë mungesën e vullnetit të AUV-së, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa të mënjëhershmë në këtë drejtim, në mënyrë që të dilet nga kjo gjendje tepër e rëndë në sektorin e qumështit.

I kujtojmë edhe njëherë qeverisë dhe opinionit se rrezikshmëria e përdorimit të vajit të palmës është vërtetuar edhe nga Agjencioni Evropian për Siguri Ushqimore EFSA, i cili ka ardhur në përfundim se përdorimi i tij është kancerogjen dhe gjenotoksik.

Ndërsa sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2018 janë importuar më shumë se 800 mijë kilogramë vaj palme.