“Sherr” britanik për Shqipërinë

Muajin që shkoi, ministri britanik i Drejtësisë shkaktoi një furtunë reagimesh me sugjerimet se në rastin e një Brexit-i, partneritetin e saj me Europën, Britania mund ta zëvendësonte me një marrëveshje të tregtisë së lirë me vende si Shqipëria.

Lajme

03/05/2016 17:34

Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama gjeti pasqyrim të menjëhershëm në shtypin vendas pas deklaratës për “The Times” se e kjo ishte “ca si e çuditshme” e se nuk pretendon që vendi ynë të ketë fuqinë politike dhe ekonomike për të qenë rivalë të BE-së.

Në mbështetje të tij, thotë “London Evening Standard”, ka dalë dhe Miriam González Durántez, juriste e njohur në vend dhe njëkohësisht bashkëshorte e ish-zëvendëskryeministrit, Nick Clegg.

“Sapo e dëgjova, ma përshkuan trurin imazhet e mijëra britanikëve që sulen të kontrollojnë Wikipedia-n për të pare se ku është Shqipëria”, shkruan Durantez në blogun e saj “Mum and Sons”.

Është e qartë, vazhdon ajo, se kushdo që e ka shkruar atë fjalim për ministrin, qoftë edhe ai vetë, nuk është lodhur ta bëjë një kërkim të tillë, përndryshe do e kishte kuptuar sa absurd tingëllon në vetvete komenti në fjalë.

“Shqipëria është një vend që po mundohet të bëhet pjesë e BE-së e për këtë arsye dhe po punon për të forcuar sundimin e ligjit e tranzicionin drejt një ekonomie tregu të plotë”, shkruan më tej juristja.

Durantez nuk lë sidoqoftë pa lëvduar bukuritë natyrore të vendit tonë, apo ushqimin që siç thotë, i ka lënë pa mend të afërmit e miqtë e saj që kanë ndaluar këtu dhe si për ta bërë më të besueshme të gjithën, postoi dhe një recetë të fërgesës aq të preferuar prej turistëve, shoqëruar me komentin: “Përveç fëmijës tim më të vogël, të gjithë të tjerët i dhanë pa hezitim pëlqimin e tyre kësaj pjate!”/Topchannel