Shërbimet e sigurisë paralajmërojnë trazira në protestën e 14 majit

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “shërbimet e sigurisë kanë mësuar se mund të ketë trazira në Republikën Srpska” gjatë protestave të paralajmëruara nga partitë opozitare më 14 maj, si dhe protestës tjetër të thirrur nga partitë në pushtet po të njëjtën ditë në Banja Llukë.

Lajme

11/05/2016 13:47

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të thirrur sot në Beograd, Vuçiqi i ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë të entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë që të “ruajnë paqen”, raportojnë mediat serbe, transmeton KosovaPress.

“Paqja dhe stabiliteti janë kushtet pa të cilat Serbia nuk mund të ec përpara. Për këtë arsye unë kontaktova presidentin e Republika Srpska, Milorad Dodik dhe Mladen Ivaniqin e Aleancës për Ndryshim dhe shpreha brengën rreth informatave që ne kemi pranuar”, ka theksuar kryeministri serb.

Dodik drejton partinë SNSD dhe shërben si president i Republikës Srpska, ndërsa Ivaniq është një ndër liderët e opozitës me Aleancën për Ndryshim, si dhe përfaqëson entitetin serb në Presidencën e Bosnjë Hercegovinës.

Aleanca për Ndryshim ka paralajmëruar organizimin e një proteste më 14 maj “për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe sociale në RS”.

Ndërsa, SNSD-ja ka reaguar duke paralajmëruar një protestë tjetër po të njëjtën ditë. /KosovaPress