Shënojnë rënie investimet e huaja

Investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 

Lajme

16/07/2014 10:50

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë kanë kapur shifrën e 38 milionë eurove, vlerë kjo, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është shumë e ulët. Në tre mujorin e parë të vitit 2013, investimet e huaja në Kosovë, llogariteshin të jenë rreth 60 milionë euro.

Ky trend i keq i investimeve, sipas Gëzim Gjikollit drejtor i drejtorisë për promovimin e sektorit privat në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pritet të ndryshojë gjatë vitit.

“Kjo është e zakonshme edhe në vendet tjera të botës, ngase investimet varësisht nga disponimi i investitorëve në disa muaj e sidomos në periudha kaq të shkurtra, mund të oscilojnë. Mirëpo nuk do të thotë se trendi i investimeve është në rënie”.

Sipas tij, vakuumi institucional nuk i brengos dhe nuk ndikon fare tek investitorët e huaj.

“Investitorët më shumë i shqetësojnë trazirat, por assesi një qeveri në themelim, nuk i shqetëson fare. Ne investitorët jemi duke i pritur çdo ditë në institucionet tona dhe asnjëherë nuk më ka rastis që këto javët e fundit ata ta shprehin këtë si brengë”, ka thënë ai, raporton RTK.

Alban Hashani, hulumtuesi i Institutit RIINVEST, thotë se gjendja aktuale mund të ndikojë në aspektin e investimeve të huaja.

“Mendoj se nuk është mirë për sinjalet që dërgojmë jashtë dhe për pasojë nuk pritet ndonjë përmirësim i madh në tërheqjen e investimeve. Mendoj që ky vakuum real institucional do të dobësojë atraktivitetin e Kosovës në tërheqjen e investimeve të jashtme”.

Hashani thotë se Kosova nuk ka mjedis shumë miqësor për tërheqjen e investimeve të huaja, pasi ka barriera të shumta.

“Ka një mjedis ku mbizotëron korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal, konkurrenca e pandershme, por edhe probleme që lidhen me infrastrukturën, problemet me shkathtësitë e punëtorëve e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Ndryshe, investimet e huaja të drejtpërdrejta kishin pësuar rënie prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kurse gjatë vitit 2013, vlera e tyre arriti në rreth 260 milionë, me një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin 2012, raporton RTK.