“Shekulli” pezullon gazetarin Isuf Kurtaj, i quajti kosovarët “racë e poshtër”
Në një sqarim për redaksinë, gazetari Kurtaj tha se statusi i tij, në profilin personal ishte keqkuptuar. Gjithsesi, redaksia vendosi ta pezullojë deri në një vendim të dytë.
Lajme
Redaksia e gazetës ‘Shekulli” vendosi sot që të pezullojë gazetarin e saj Isuf Kurtaj deri në vendimin që do të marrë komisioni i etikës për dëmin që i ka sjellë imazhit të gazetës një status i publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ku përdoreshin fyerje ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Reagimi i gazetarit është bërë mbrëmjen e vonë të 16 gushtit, ndërsa ai prej tre ditësh është me pushime në bregdetin e Himarës dhe sulmonte lojtarët e Kosovës që braktisën ekipin kombëtar për të luajtur për ekipin e ri të Kosovës. “E zëmë se Kosovska-Metohio që shumë prej jush i paska gërryer kaq shumë meraku me bë ekip kualifikohet, një gjë doja t’ju pyesja: si leshin do të brohorisni? O sa mirë me qenë kosovarë? Yt rracë e poshtër!” shkroi gazetari Kurtaj, status që solli edhe reagimin e ashpër të shqiptarëve të Kosovës për termin Kosovska-Metohio, që e përdorin nacionalistët serbë për Kosovën si dhe fyerjet për racën.
Në një sqarim për redaksinë, gazetari Kurtaj tha se statusi i tij, në profilin personal ishte keqkuptuar. Gjithsesi, redaksia vendosi ta pezullojë deri në një vendim të dytë.