SHBA-të refuzojnë këmbimin “programi iranian bërthamor për luftën kundër IS”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur poshtë propozimin e Iranit, zyrtarët e të cilit kanë thënë se shteti i tyre mund të bashkëpunojë për të luftuar militantët e IS, në shkëmbim të koncesioneve për programin e tyre bërthamor.

 

Bota

22/09/2014 21:47

Zyrtarë të lartë iranian kanë thënë për Reuters se Irani është i gatshëm të punojë me SHBA-të dhe aleatët e saj për të ndaluar militantët e IS, por si shkëmbim ata duan që fuqitë botërore të mos u përzihen në programin e pasurimit të uraniumit të Iranit.

Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest ka thënë se SHBA-të nuk e pranojnë një gjë të tillë.

“Përpjekjet e fuqive botërore për të bindur Iranin që të heqë dorë nga programi i tij bërthamor është krejtësisht i ndarë nga përpjekjet e presidentit Barack Obama për të ndërtuar një koalicion kundër militantëve të IS”, ka thënë ai.

SHBA-të nuk do të jenë në pozitën e këmbimeve tregtare të programit bërthamor të Iranit, vetëm e vetëm për të siguruar angazhime për të luftuar IS, ka shtuar Earnest.