SHBA-Rusi, debate të ashpra në Këshillin e Sigurimit

Ambasadorët e SHBA’ve dhe Rusisë në OKB kanë shkëmbyer fjalë të ashpra në New York të hënën. Churkin i Rusisë tha se është fjala për mbrojtjen e rusëve në Krimea, ndërsa Power e Amerikës u shpreh se Rusia po përpiqet ta bindë botën se e zeza është e bardhë.

Bota

03/03/2014 23:08

Një ditë pasi Kryeministri i Përkohshëm i Ukrainës e quajti ndërhyrjen ushtarake të Rusisë si “shpallje të luftës”, u raportua se flota ushtarake ruse i ka dhënë një ultimatum forcave ukrainase në Krimea: Dorëzohuni ose përballuni me furtunën. Më vonë Rusia mohoi të ketë lëshuar një paralajmërim të tillë.

Por Ambasadorët e SHBA’ve dhe Rusisë në OKB kanë shkëmbyer fjalë të ashpra në New York të hënën. Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Ambasadori I Rusisë, Vitalij Churkin, tha se popullata e përkatësisë ruse në Ukrainë u është nënshtruar sulmeve nga “radikalët anti-kombëtarë” dhe mbrojti përdorimin e mundshëm të forcës në Krimea.

“Ne po flasim për mbrojtjen e qytetarëve dhe bashkëkombasve tanë, për mbrojtjen e të drejtës më të rëndësishme, të drejtës për jetë”, tha Churkin.

Por përgjigja e Ambasadores së SHBA’ve, Samantha Power qe e menjëhershme:

“Nuk ka dëshmi se rusët etnikë janë në rrezik”.

“Rusia po përpiqet të na bindë se lart është poshtë, se e zeza është e bardhë”.

“Ajo që po ndodh sot është një ndërhyrje e rrezikshme ushtarake në Ukrainë. Ky është një akt agresioni. Dhe kjo duhet të ndalet”, tha Ambasadorja Power.