Serbia pro perëndimit dhe pro Rusisë

Aleksandar Vucic thotë se Serbia duhet të ketë qëndrim të balancuar sa i përket krizës në Ukrainë. Sipas tij, Serbia nuk mund t’i vë sanksione Rusisë por edhe as të heqë dorë nga rruga drejtë BE’së.

Lajme

22/03/2014 18:05

Nënkryetari i Qeverisë teknike të Serbisë, Aleksandar Vucic, ka deklaruar se shteti i tij nuk do të mbajë qëndrim jomiqësor ndaj Rusisë. Ai në një konferencë për media, ka thënë se Serbia në këtë moment nuk mund të ketë një qëndrim të qartë lidhur me krizën në Ukrainë. “Qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Ukrainë është dhe duhet të jetë plotësisht i përgjegjshëm. Serbia do të respektojë të gjitha detyrat e veta në rrugën drejtë BE”së dhe nuk do të ketë një qëndrim jomiqësor ndaj Rusisë. Kjo është e gjitha çfarë mund të them në këtë moment”. “Ne e respektojmë integritetin territorial, si pjesë e së drejtës ndërkombëtare, por, nuk mund që për këtë të na tregojnë ata që këtë e kanë shkelur këtu”. “Qeveria e Serbisë nuk ka mundësi që gjatë mandatit teknik të deklarohet lidhur me krizën në Ukrainë, por, gjithsesi nuk është e drejtë ti vëmë sanksione Rusisë dhe as të lëshojmë rrugën evropiane. Serbia do të mundohet që t’i mbrojë interesat e veta dhe të sillet përgjegjshëm. Për këtë arsye, qëndrimi ynë duhet të jetë i balancuar”.