Serbia nën këmbët e Vuçiqit, por me drejtim nga BE-ja

Aleksandar Vuçiq është politikani që fitoi përqindjen më të madhe të një grupi politik në Serbi, të paktën në 10 vitet e fundit. Rezultatet zyrtare e nxjerrin atë bindshëm fitues, me mbi 48 për qind të votave.

Lajme

25/04/2016 21:42

Pavarësisht se në fillim ishte mbi 51 për qind, Vuçiq ka fituar shumicën, pasi partitë që nuk hyjnë në Kuvend ia kalojnë votat partive të tjera. Fituesi iu drejtua simpatizantëve të tij në një konferencë për shtyp, ku u premtoi një të ardhme më të mirë.

“Të gjitha zgjedhjet deri më sot kanë qenë për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Këto zgjedhje janë votë për progresin. E di që nuk do të jetë e lehtë, pasi rruga jonë nuk është e shtruar me lule, por jam i sigurtë se mund të arrihet”, tha Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë.

Megjithatë, karakteristikë e rezultateve të zgjedhjeve është fakti se, disa parti të djathta dhe të krahut nacionalist janë rikthyer në skenë, ndërsa radikali Vojislav Sheshel ka arritur të marrë më shumë se të gjitha grupet demokratike, me një rezultat prej gati 9 për qind.

Edhe pse dikur partner i tij, Vuçiq ngelet shpresa e vetme, që Serbia të shkojë megjithatë drejt Bashkimit Evropian.

Dragan Popoviç, nga “E majta e Serbisë”, thotë se kjo tregon një dobësim të përgjithshëm të ideve të dikurshme.

“Ne nuk mund të kthehemi as në të shkuarën, sepse aty tashmë jetojmë. Por, ka pasur parregullsi dhe kemi humbur zgjedhjet e lira, kurse prej kohësh edhe lirinë e medias. Tani gjithçka do të jetë edhe më e paqartë”, tha Dragan Popoviç, “E majta e Serbisë”.

Rezultatet kanë bërë që të dobësohet e gjithë opozita, teksa disa prej tyre janë ende në ankthin e gabimeve në përllogaritjen e përqindjes. Por një gjë është e sigurtë: Vuçiq ka fuqinë absolute dhe gjithçka varet nga realizimi i ideve të tij. /TopChannel