Serbët mbesin vetëm me vendet e rezervuara

Serbët në Kuvendin e Kosovës do t’i kenë vetëm 10 deputetë, që ia lejon Kushtetuta e Kosovës, përkundër faktit se ‘Lista Serbe’ ka mundësi të kalojë pragun zgjedhor prej pesë për qind.

Lajme

19/06/2014 12:00

Dilemën se komunitetet mund të kenë 20 vende të rezervuara, plus 5 ose 6 deputetë të ‘Listës Serbe’, nëse e kalojnë pragun, e sqaron Kushtetuta e Kosovës, ku thuhet se ata kanë dhjetë vende të garantuara, në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë.

Bazuar në rezultatin preliminar të deri tanishëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilat nuk përfshihen votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta, deri më tani është vetëm ‘Lista Serbe’ që ka marrë 4.17 për qind, Kosova Demokratik Türk Partisi ka 1.04 për qind të votave, dhe janë 18 subjekte tjera politike të minoriteteve të cilat kanë marrë nën një për qind të votave.

Siç raporton KosovaPress,  ‘Lista Serbe’ prej 10 mijë e 500 votave me postë, ka marrë mbi 8 mijë vota, që i bie se kalon pragun, por nuk merr deputet shtesë, përveç atyre 10 sa iu lejon Kushtetuta.

Në Kushtetutë thuhet se njëzet prej njëqind e njëzet vendeve sa i ka Kuvendi i Kosovës, janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, e dhjetë prej tyre iu takojnë komunitetit serb.

Duke mos dashur t’i komentojë rezultatet, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë për KosovaPress se përveç ulëseve të garantuara për minoritetet ende nuk dihet për ato që mund të marrin subjektet politike.

“Pas certifikimit të rezultateve, minoritetet i kanë 20 vende të garantuara, do t’i shfrytëzojnë ato 20 vende ndërsa nga rezultatet do të mund të dihet se a ka mundësi që të kenë ndonjë vend më tepër apo jo, kjo është çështje e cila ende nuk mund të dihet sepse duhet të presim rezultatet dhe certifikimin e tyre. Pa i pasur rezultatet përfundimtare të certifikuara ende nuk mundemi me ditë se cili subjekt sa ulëse mund të ketë në parlament përveç ulëseve të garantuara”, shprehet Daka.

Sipas Driton Selmanaj, nga Demokracia në Veprim, kjo nuk ndikon në rritjen e përqindjes, në kuptimin e vendeve të garantuara, dhe se këto vota nuk kalojnë 10 përqindëshin sipas Selmanaj që të kenë më tepër se dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës.

“Ajo që është e rëndësishme është që të ketë sa më shumë deputetë të cilët janë me votë të deleguar dhe jo si rezultat i vetëm vendeve të garantuara, por si rezultat i asaj që kanë marrë vota. Dhe kjo po ndodhë edhe nëse kemi diku gjashtë ose shtatë për qind të votave të minoritetit serb, vetëm sa do të ju forcohet baza deleguese atyre dhjetë deputetëve të cilët do t’i kenë Kuvendin e Kosovës”, ka vlerësuar Selmanaj.

Njohës i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, thotë se hipotetikisht, përfaqësuesit e minoriteteve në parlament, edhe me këtë përbërje, që të “stopojnë” çështje të rëndësishme për vendin.

Në legjislaturën e kaluar minoritetet kishin kushtëzuar mbështetjen e amendamenteve në Kushtetutën e Kosovës që do të mundësonte formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, me vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat edhe për dy mandate.

Sipas Smakës, nëse do të stimulohej edhe ndonjë amendament që do të rikonstituonte të drejtën e komuniteteve minoritare për vendet e rezervuara do të bëhej një padrejtësi e madhe.

“Një padrejtësi e paprecedentë”, siç e quan ai, në dëmin e parimeve themelore të kushtetutës edhe të demokracisë në përgjithësi, të vlerave të shtetit të së drejtës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës njëzet (20) prej një qind e njëzet (120) vendeve sa i ka Kuvendi, janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, dhe se:

– Partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb, do të kenë numrin e vendeve në Kuvend të fituar në zgjedhjet e hapura, me minimumin dhjetë (10) vende të garantuara,në rast se numri i vendeve të fituara është më i vogël se dhjetë (10) ; dhe

– Partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetete tjera, në Kuvend do të kenë numrin e vendeve të fituara në zgjedhjet e hapura me minimumin e vendeve të garantuara si në vijim: komuniteti Rom një(1)vend; komuniteti Ashkali një (1) vend; komuniteti Egjiptian një (1) vend; dhe një (1) vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme; komuniteti Boshnjak tri(3)vende, komuniteti Turk dy(2) vende dhe komuniteti Goran një (1) vend,nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara. /KP/