Separatistët që rrëzuan aeroplanin malajzian, rusë nga Sahalini

Reporterët e agjencisë Associated Press, Yuras Karmanau dhe Peter Leonard publikuan një raport të hollësishëm për atë që ka ngjarë në lindje të Ukrainës, në ditën kur separatistët pro-rusë rrëzuan aeroplanin malajzian duke vrarë me këtë rast 298 udhëtarë dhe anëtarë ekuipazhi.

Bota

28/07/2014 19:00

Ajo që sidomos veçohet është një detaj për njësinë separatiste të akuzuar për rrëzimin e aeroplanit të linjës MH17.

Raporti së pari sqaron se reporterët e agjencisë AP kanë parë njësi të paidentifikuara paraushtarake me shenja të panjohura dhe me theks rus, duke transportuar sistemin raketor BUK nëpër qytetin Snizhne.

Tre orë më vonë Boeingu malajzian është rrëzuar pas goditjes nga raketa tokë-ajër.

Një udhëheqës i lartë i rebelëve pro-rusë, tha për agjencinë AP se për këtë rrëzim janë  përgjegjës separatistët nga qyteti Snizhne, gjë që dëshmon edhe audio incizimi i publikuar pas rrëzimit të aeroplanit. Në atë incizim dy separatistë flasin për pasojat e sulmit raketor ndaj aeroplanit të udhëtarëve.

Burimi i AP-së ka theksuar se njësia e separatistëve nga Snizhne përbëhet nga shtetas ukrainas dhe shtetas rusë. Njësinë e udhëheq një individ që me emrin e koduar quhet Inxhinieri, i lindur në qytetin Janakievo, që është edhe vendlindja e presidentit të përmbysur ukrainas Janukoviç, në lindje të Ukrainës.

Por, sipas udhëheqësit të lartë të rebelëve, ai nuk mund të tregojë për emrin e vërtetë të Inxhinierit, pasi në këtë mënyrë do të shkelte zinxhirin komandues të rebelëve pro-rusë.

Por, ky burim theksoi se Inxhinieri udhëheq grupin rebel gjysma e të cilit përbëhet nga njerëz me prejardhje nga lindja e largët ruse, përkatësisht ishulli Sahalin në oqeanin Paqesor, rreth 6,800 km larg Ukrainës, shkruan AP.

Është interesante se pikërisht ishulli Sahalin ishte vendi i një prej tragjedive më të rënda të fluturimeve ajrore, kur aeroplan luftarakë rusë, më 1983, rrëzuan aeroplanin koren të udhëtarëve me 269 persona në bord.

Komisarja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay të hënën në Gjenevë raportoi për Ukrainën dhe tha se rrëzimi i aeroplanit të Malajzisë do të mund të kualifikohej si krim lufte.