Separatistët pro-rusë po mbajnë zgjedhje

Separatistët pro rusë janë duke mbajtur zgjedhje në lindje të Ukrainës, përderisa këto zgjedhje Perëndimi i ka quajtur të “jashtëligjshme”.

Bota

02/11/2014 15:15

Në dy krahinat tashmë të proklamuara si Republika Popullore e Donetsk dhe Luhansk, janë duke u mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Të paktën, 7 ushtarë ukrainas janë vrarë prej së premtes gjatë përleshjeve që janë intensifikuar në këtë rajon.

Donetsk dhe Luhansk janë nën kontrollin e separatistëve pas shumë muaj luftimesh në mes të separatistëve dhe forcave qeveritare ukrainase, të cilat kanë përfunduar pas marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar në muajin shtator.

Liderët e rebelëve thonë se këto dy shtete të pavarura nuk kanë nevojë të veprojnë më nën ligjet e Ukrainës, prandaj ata nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet nacionale që Ukraina i mbajti javën e kaluar.

Ata thotë se tre milionë fletëvotime tashmë janë shtypur për zgjedhjet, të cilat do të zgjedhin edhe parlamentin por edhe presidentin e ri.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse ato do t’i japin legjitimitet forcës sonë dhe do të na distancojnë nga Kievi zyrtar”, ka thënë për AFP Roman Lyagin, i cili është Kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve në regjionin e Donetsk-ut.

Por, shtetet perëndimore kanë kundërshtuar këto zgjedhje. Edhe zyrtarët e Kievit kanë thënë se këto territore duhet t’i përmbahen marrëveshjes së armëpushimit, për të cilin është pajtuar Rusia, dhe të mbajnë zgjedhje lokale sipas ligjeve të Ukrainës në muajin dhjetor.

“Ne e dënojmë qëllimin e separatistëve në lindje të Ukrainës, të cilët po mbajnë të ashtuquajturat zgjedhe të paligjshme lokale këtë të dielë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.