Selimi e Qehaja reagojnë në “The New York Times”

Gazeta amerikan “The New York Times”, publikoi  sot reagimin e Petrit Selimit, ministrit të Jashtëm në detyrë tw Kosovës, ndaj artikullit të botuar më 22 maj me titull “Kosova, tokë e pëlleshme për ISIS-in”.

Lajme

31/05/2016 22:43

Artikulli nxiti shumë reagime, pasi një pjesë e madhe si në vend, por edhe analist ndërkombëtarë, nuk u pajtuan me të.

Gazetarja e artikullit e pranoi se në Kosovë ishte ndihmuar nga dy gazetarë vendas për të marrë deklarata dhe për të vizituar lokacione në Kosovë.

Në reagimin e Selimit të botuar nga NYT, ai sqaron të metat e artikullit, si dhe luftën që Kosova ka bërë e po e bën lidhur me përhapjen e ekstremizmit.

Në këtë reagim, Selimi thotë se tashmë numri i kosovarëve si pjesë e ISIS-it ka rënë në 60 e jo siç është përmendur në artikull 300, transmeton Indeksonline.

“Është e saktë vënia në dukje e vështirësive që Kosova është përballur me to, si radikalizmi i të rojeve dhe ISIS, por nuk njihet në mënyrë adekuate përpjekja  e qeverisë sime për të luftuar këtë të keqe”, shkruan Selimi.

Ai tutje shkruan edhe për ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës që mundësojnë arrestimin dhe gjykimin e atyre që shkojnë për të luftuar me ISIS-in në Siri.

“Ne aktivisht kontribuojmë në koalicionin global kundër ISIS-it. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka theksuar gjatë vizitës në Kosovë se kosovarët janë liderë regjional në luftimin e ekstremizmit. Po ashtu edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e ka njohur rolin aktiv të Kosovës në promovimin e dialogut ndërfetar në raportin e tij të vitit të kaluar”, shkruan Selimi.

Sipas tij, Kosova nuk do të mbetet peng e një grupi të vogël të ekstremizmit të dhunshëm fetar, të cilët janë interpretues absolut të islamit e që është në kundërshtim me traditën tonë laike.

Në këtë pjesë të reagimit, New York Times ka botuar edhe reagimin e Florian Qehajës, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Po ashtu edhe Qehaja sqaron se e vërteta e artikullit të botuar në New York Times është ndryshe dhe se aty është përfshirë vetëm pjesa e errët, e jo zhvillimet pozitive.

“Pas përpjekjeve të komunitetit mysliman, shoqërisë civile dhe të qeverisë, numri i luftëtarëve kosovarë ka rënë në mënyrë drastike që nga vitit 2014. Aktualisht janë diku mes 60 dhe 70 në Siri dhe Irak (numri i tyre ka rënë nga 200). Diku 50 prej tyre kanë vdekur në beteja, kurse pjesa tjetër është kthyer në shtëpi ose më nuk ju dihet vendndodhja”, shkruan Qehaja.

Sipas tij, nëse krahasohet numrin i xhihadistëve me popullsinë myslimane, Kosova renditet si vendi i 14 në Evropë, e jo i pari. “Artikulli po ashtu nuk përfshinë të dhënat si si kosovarët e shohin vendin e tyre në botë. Duke ju referuar anketave nga organizata ime, 95 për qind e kosovarëve e shohin Amerikën dhe Evropën (pa Rusinë dhe Turqinë) si shtetet e tyre të partneritetit strategjik”, thekson Qehaja.