Sekuestrohen 11 mijë euro të falsifikuara në Berat

Tre persona janë vënë në pranga pasditen e sotme në Berat, pasi akuzohen për falsifikim të monedhave. Të arrestuarit janë Ilir Zëre, Briken Gëri, Bledar Zogani.

Lajme

27/04/2016 21:10

Burime nga policia bënë të ditur se janë sekuestruar 11 mijë euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

Nga ana e Sektorit për Krimin e Organizuar Narkotikë dhe Trafiqe, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat u finalizua me suksese operacioni “Money ”.

Në kuadër të këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  1. Ilir Zere, 46 vjeç, banues në Berat,
  2. Briken Gëri, 29 vjeç, banues në Berat,
  3. Bledar Zogani, 40 vjeç, banues në Berat.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi:

Mbi bazën e një hetimi disa mujor rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitetin kriminal të falsifikimit të monedhës euro prerje 50 (pesëdhjetëshe) dhe 100 (njëqindëshe), të cilat i tregëtonin në tregun vendas me vlerën 100 euro e barabartë me 30.000 (tridhjetëmijë) lekë të vjetra.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 11,000 euro të dyshuara të falsifikuara.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ilir Zere, në cilësinë e provave materiale iu gjetën dhe sekuestruan:

  • 5 thika antike të dyshuar të trafikuara,
  • 1 pushkë sportive pneumatike.
  • 4 bimë narkotike të dshuara Cannabis Sattiva.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”, “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në ngarkim të shtetasit Ilir Zere, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”dhe “Prodhimi dhe shitja e bimëve narkotike”, në ngarkim të shtetasit Briken Gëri, dhe për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, në ngarkim të shtetasit Bledar Zogani.