Së bashku në BE

Relacionet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë kanë arritur një partneritet strategjik për të dyja vendet. Takimi i ardhshëm në Prizren midis dy qeverive hap një epokë të re të bashkëpunimit, kanë cilësuar Gjoshaj e Çitaku.

Lajme

08/11/2013 15:23

Ministrja e Integrimeve Europiane e Kosovës është pritur sot në Tiranë nga hom,logia e saj shqiptare Klajda Gjosha.

Gjoshaj ka përgëzuar Çitakun për të arriturat e deritanishme të Kosovës në procesin e integrimit.

“Kjo çfarë është arritur deri më tani nga Kosova dhe Shqipëria në procesin e integrimit vlen për t’u përgëzuar, por gjithashtu na shton përgjegjësitë për atë çfarë duhet të bëjmë në vijim. Me ministren ndamë miqësisht një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen ngushtë me prioritetet, reformat dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy strukturave të vendeve”, ka thënë Ministrja Gjosha.

“Mbledhja e përbashkët e dy qeverive e cila do të organizohet së shpejti në Prizren, është dëshmi e qartë për hyrjen në një epokë të re të bashkëpunimit maksimal për interesat e përbashkëta strategjike”.

Ministrja Vlora Çitaku ka folur për rëndësinë që merr mbledhja e pritshme ndërmjet dy qeverive në Kosovë.

“E vërteta është që relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë evoluar vitet e fundit dhe tanimë me organizimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive edhe me arritjen e një partneriteti strategjik, ky relacion merr një trajtë më të strukturuar”.

“Kemi disa pika të cilat do t’i adresojmë bashkërisht si përkthimi Acqui’së, përafrimi i legjislacionit dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare. Kufijtë nuk janë aty më për të na ndarë, kufijtë janë aty për të na bashkuar”.

Por Çitaku është shprehur e zhgënjyer me dinamikat në Bruksel.

“Jemi pak të zhgënjyer me dinamikat në Bruksel. Në këto 22 muajsh kemi pasur vetëm një mision vlerësues nga ana e BE’së. Në fund të muajt nëntor përkatësisht në fillim të muajit dhjetor presim misionin e dytë vlerësues. Bazuar në punët që kemi bërë presim që rekomandimet të misionit të jenë pozitive”.

Gjatë kësaj vizite në Tiranë, Vlora Çitaku është takuar edhe me Kryeministrin e Shqiëprisë, Edi Rama dhe Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Kryeministri Rama i ka premtuar Çitakut mbështetjen e gjithë Qeverisë së Shqipërisë për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e posaçërisht mbështetjes në procesin e integrimit europian në mënyrë që të gjitha përvojat që i ka Shqipëria t’i ndajë me Kosovën.

“Kosova është duke avancuar mjaft mirë në këtë proces prandaj do të përkrahim këtë momentum që të ketë finalizim sa më të mirë dhe sa më të shpejtë”, tha Kryeministri shqiptar Edi Rama.