Rusia i jep Snowden-it leje qëndrimi deri më 2017

Moska i ka dhënë Edward Snowdenit, ish- kontraktorit të inteligjencës amerikane, leje qëndrimi për tre vjet në Rusi.

Bota

07/08/2014 17:21

Avokati i Snowdenit, Anatoly Kucharena, ka njoftuar për këtë lajm gazetarët në Moskë.

Kucharena ka thënë se leja, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 gushti 2014, i lejon Snowdenit që të lëviz i lirshëm, dhe nëse ai do, edhe të udhëtojë jashtë Rusisë.

Snowdenit i ishte dhënë azil i përkohshëm në Rusi, më 2013, azil të cili i kishte kaluar afati më 31 korrik.

Vitin e kaluar, Snowden, i cili ka punuar për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, kishte zbuluar për opinionin programet e përgjimit të SHBA-ve, përfshirë edhe mbledhjen masive të të dhënave të telefonatave dhe spiunimin e liderëve botërorë.

Ai kërkohet nga autoritetet amerikane për spiunazh, zbulimin e materialeve sekrete dhe nëse kapet, mund të dënohet me burgim të përjetshëm.