Rruga e Kombit edhe sivjet pa pagesë

Megjithëse udhëtarët nga Kosova që frekuentojnë bregdetin shqiptarë janë pro taksës rrugore prej 5 eurove për një automjet, "Rruga e Kombit" edhe këtë sezon veror nuk do të jetë me pagesë.

Lajme

03/07/2016 16:49

E përfolur për mungesë të elementeve të sigurisë, “Rruga e Kombit” pritet të ketë edhe taksën e saj për mirëmbajtje. Qytetarët e Kosovës, të cilët janë të shumtë në numër që e frekuentojnë këtë aks rrugor, janë pro dhënies me koncesion të “Rrugës së Kombit”, ndërsa vendimi që pritet të marrë Qeveria e Shqipërisë për taksimin e kalimit në autostradë është pritur mirë. Ata shprehen se pavarësisht kostos, pagesa e kalimit në autostradë do të sillte mirëmbajtje të rrugës dhe më shumë siguri në trafik, njofton transmetuesi publik.

Janë marrë të gjitha masat dhe po punohet maksimalisht në rregullimin e sinjalistikave dhe mbylljen e kyçjeve të paligjshme në rrugën Kukës – Durrës. Por edhe në këtë sezon turistike asgjë nuk do të ndryshojë për pushuesit nga Kosova për sa i përket pagesës rrugore. Kështu ka deklaruar komisari i policisë rrugore të Shqipërisë Sokol Zefi.

Ndryshe, pagesa në “Rrugën e Kombit” , sipas njoftimeve të Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë , do të jetë 5 euro për automjet. Rruga Prishtinë Vërmicë- Kukës – Durrës, po kthehet gjithnjë e më shumë në një arterie kryesore që sjell zhvillim të turizmit në dy vendet tona, Kosovë dhe Shqipëri. Vetëm në 2015-ën, sipas të dhënave të Policisë Kufitare në Morinë, janë regjistruar 5 milionë e 412, 238 hyrje-dalje të personave dhe 1 milionë 849,987 hyrje-dalje të automjeteve.