Rritje e borxhit publik të Kosovës

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, nëse vazhdohet me këtë temp të hyrjes borxh, pas shumë viteve mund të kemi reflektime negative. Borxhi publik i Kosovës ka arritur në mbi 506 milionë euro, që është rreth 9.20 për qind e bruto produktit vendor.

Lajme

18/05/2014 11:23

Në fund të muajit mars të këtij viti, stoku i borxhit të përgjithshëm të Kosovës ishte gati 507 milionë euro, nga të cilat borxh i jashtëm 317.44 milionë euro, apo 5.76% e BPV-së, dhe borxhi i brendshëm 189.52 milionë euro, apo 3.44% e BPV-së, thuhet në raportin e publikuar në Ministrinë e Financave, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas të njëjtit raport, stoku i borxhit të përgjithshëm është në formë të borxhit shtetëror dhe të nën-huazuar, pasi që Republika e Kosovës akoma nuk ka borxh komunal dhe nuk ka emetuar garanci shtetërore.

“Krahasuar me vitin 2013, borxhi i përgjithshëm në tremujorin e parë të vitit 2014 është rritur për 6.5%, kjo si rrjedhojë e emetimit të 37.2 milionë euro letra me vlerë, vlerë nominale në tremujorin e parë të 2014”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.