Rrëzimi i helikopterit në Shkodër, nisin hetimet

Prokuroria regjistroi procedim penal në lidhje me rrezimin e helikopterit ushtarak në Liqenin e Shkodrës. “Shkelje të rregullave të fluturimit ajror” dhe “Lëvizje e trupave pa të drejtë” janë dy akuzat për të cilat do të merren nën hetim edhe eprorët e pilotëve.

Lajme

09/04/2016 13:40

Nga verifikimet paraprake, procedimi penal është regjistruar për këto dy vepra penale të parashikuara në nenin 48 dhe 83 të Kodit Penal Ushtarak.

Për veprën penale të “Lëvizjes së trupave pa të drejtë”, mendohet se do të mbajnë përgjegjësi eprorët e pilotëve, pasi kanë lejuar ngritjen e helikopterit pa një urdhër specifik apo plan masash të detajuar dhe arsyetuar për misionin e kryer, siç parashikon rregullorja, shkruan ABC NWS, duke u thirrur në burime.

Ligji parashikon që “Komandanti që pa autorizim, urdhër, mision të veçantë ose shkak tjetër të ligjshëm, urdhëron lëvizjen e trupave ose mjeteve tokësore, detare apo ajrore, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në 2 vjet”.

Vepra tjetër penale, për të cilën po vazhdojnë hetimet nga prokuroria e Shkodrës në bashkëpunim me policinë ushtarake të Forcave të Armatosura, është ajo e parashikuar në nenin 83 të kodit penal ushtarak. Ku parashikohet se “Shkelja nga ushtaraku e rregullave të fluturimit dhe të përgatitjes së teknikës së fluturimit, kur nga këto janë shkaktuar vdekja ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në 15 vjet burg”./ lajmi.net.