Rrahje masive mes të besimtarëve në xhaminë e shqiptarëve

Një incident ka ndodhur në një xhami në Zvicër të dielën që shkoi.

Lajme

01/09/2017 08:46

Në një xhami që frekuentohet dhe drejtohet nga Shqiptarët , në Gebenstorf të Kantonit Aargau ka ndodhur një rrahje masive në mes të besimtarëve.

Siç shkruan gazeta Aargauer Zeitung, shkas për këtë rrahje ka qenë vendimi i kryesisë së xhamisë për t`ia ndërprerë marrëdhënien e punës imamit të xhamisë.

Policia e alarmuar ka shkruar në vendin e ngjarjes me dhjetë policë dhe me gjashtë makina policore,ka konfirmuar një zëdhënës i policisë së kantonit për 20minuten.ch.

Nënkryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare që udhëheq me xhaminë, Mursel Ibraimov (Ibraimi) ka thënë për mediet zvicerane se sherri ka ndodhur pasi që kryesia e kishte pushuar nga puna imamin e xhamisë, transmeton albinfo.ch.

“Pas fjalimit përshëndetës të imamit, u ngritën përkrahësit e tij dhe na sulmuan fizikisht”, thotë Ibraimi.

Sipas tij, imami i cili ka qenë prej tetë vitesh në këtë xhami, kohëve prej kohësh kishte rënë në sy për përçarjen që po e nxiste. Pastaj kryesia ka kuptuar se ai gjatë verës në Maqedoni ishte takuar me imamë radikalë. Kjo ka qenë arsyeja për vendimin që kryesia e mori për ta suspenduar hoxhën.

Por, 8 mbështetës të tij e kishin filluar sherrin që u përshkallëzua në rrahje masive të dielën, ditën që imami po përshëndetej nga besimtarët. Dy nga personat e sulmuar u desh të shkonin në spital për kontrollim.

albinfo.ch merr vesh se imami në fjalë është B.I. nga Gjilani

Këshilli i Komunës Gebenstorf në një letër i ka tërhequr vërejtjen Bashkësisë Islamike Shqiptare se komuna nuk do të tolerojë eksese të tilla. Kjo mënyrë e qasjes në tejkalimin e konfliktit ngjall frikë dhe shqetësim te qytetarët.

“Në veçanti në dritën e zhvillimeve të ndryshme shqetësuese në Evropë, ekseset si ky nuk i kontribuojnë atmosferës së mirë në mesin e popullatës së fshatit. Këshilli Komunal po ashtu ka theksuar se në rast përsëritjeje të zhvillimeve sikur ky, do të shqyrtojë edhe marrjen e masave ligjore.

Kryesia e xhamisë ndërkaq u ka ndaluar hyrjen në xhami tetë personave që kanë nisur sherrin.