“Roli i shqiptarëve në mbrojtjen e Kroacisë, ishte i madh”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të Kroacisë të prirë nga ministri i Veteranëve, Tomo Medved dhe ministri i Kulturës, Zlatko Hasanbegoviq.

Lajme

26/05/2016 17:28

Pasi i njoftoi për progresin në Kosovë, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet dy shteteve.

“Dy popujt tanë kanë kaluar së bashku sfida të mëdha dhe kanë arritur të triumfojnë. Tashmë, Kosova dhe Kroacia janë dy shtete me partneritet shumë të fuqishëm dhe po e thellojnë në vazhdimësi miqësinë dhe raportet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ministrat Tomo Medved dhe Zlatko Hasanbegoviq vlerësuan progresin në Kosovë, duke shprehur vullnetin e Kroacisë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ministri Medved veçoi rolin e shqiptarëve në Kroaci dhe kontributin e madh të tyre në luftën e fundit për mbrojtjen e Kroacisë.

Ai bëri të ditur se i ka sjellë në Kosovë dekoratat për disa luftëtarë kosovarë të cilët kanë luftuar në Kroaci, duke shprehur nderimet më të larta të shtetit kroat edhe për shumë kosovarë të tjerë të cilët luftuan në Kroaci, dhjetëra prej të cilëve ranë dëshmorë.