Rikthehen protestat në Shkup kundër vendimit të presidentit Ivanov

Pas një pauze disa ditëshe, mijëra qytetarë të organizuar nga dhjetëra organizata joqeveritare edhe sonte dolën në rrugët e Shkupit për të shprehur revoltën e tyre kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për faljen e politikanëve nga ndjekja penale.

Lajme

03/05/2016 22:44

Protestuesit me sloganin “Nuk ka qetësi, nuk ka drejtësi” thonë se lufta e tyre politike mbetet nëpër rrugë deri atëherë kur presidenti Ivanov do të tërheq vendimin për falje dhe do të dorëhiqet nga funksioni i presidentit të shtetit.

Në të njëjtën kohë, protestuesit kërkojnë edhe anulimin e zgjedhjeve për datën e caktuar më 5 qershor, sepse sipas tyre, nuk ka mbetur kohë që deri në atë datë të krijohen kushte për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Sikurse netëve tjera, edhe sonte protestuesit u tubuan para godinës së Prokurorisë Speciale Publike në shenjë mbështetjeje për punën e saj. Ata përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Maqedonisë marshuan në drejtim të Gjykatës Themelore, e cila u sulmua me ngjyrë në vazhdën e të ashtuquajturës “Revolucioni larmishëm”.

Protesta përfundoi në mënyrë paqësore para godinës së Qeverisë së Maqedonisë.

Më 12 prill presidenti Ivanov solli vendim për faljen e të gjithë politikanëve kundër të cilëve janë ngritur hetime, vendim i cili sipas presidentit do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike në vend, si dhe zvogëlimin e tensioneve mes forcave politike të ndryshme në vend.

Mirëpo, vendimi në fjalë vazhdon të shtojë gjithnjë e më shumë revoltën e qytetarëve, të cilët përveç në qytetin e Shkupit tashmë janë duke protestuar edhe nëpër qytetet tjera të vendit.