Rigjykim ndaj dy të akuzuarve

Gjykata e Apelit vendos që çështjen ndaj të akuzuarve F. Deçani dhe F. Gjocaj ta kthejë në rigjykim për shkak të paqartësisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë.

Lajme

12/12/2013 12:32

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se një kolegj penal prej tre gjyqtarësh nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës se Apelit ka vendosur që ta kthejë në rigjykim çështjen ndaj të akuzuarve F. Deçani dhe F. Gjocaj.

I pari ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 15 vjet burgim për veprat penale –  vrasje e rëndë sipas nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës dhe vrasje në tentativë, sipas nenit 146 të KPK-së.  Ndërsa i dyti me 4 vjet burgim për  vrasje në tentativë,  sipas nenit 146 të KPK-së .

“Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të akuzuarve”.

“Kolegji konstatoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Kjo pasi që i njëjti është i paqartë i pakuptueshëm dhe në kundërshtim më brendinë e tij”, thuhet në komunikatën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

F. Deqani akuzohet se në  korrik të viti 2010 ka privuar nga jeta shtetasin Bekim Krasniqi dhe se bashkë më të akuzuarin tjetër F. Gjocaj kanë tentuar ta privojnë nga jeta edhe të dëmtuarin N.V.

Gjykata po ashtu ka urdhëruar t’i vazhdohet masa e paraburgimit të dënuarit F. Deqani.