Reshjet e shiut bllokojnë Vlorën, probleme në Durrës e Tiranë

Reshjet e pazakonta të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa prej qendrave më të mëdha të vendit.

Lajme

13/06/2016 09:34

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se qyteti më i goditur është Vlora. Në rrugën nga Kampi i Punëtorëve deri te Uji i Ftohtë janë bllokuar disa mjete nga rënia dhe depozitimi i inerteve.

Policia njofton se problematike janë gjithashtu zonat “Ujë i ftohtë” – “Radhimë”, fshatrat “Sherisht”, “Selenicë”, “Peshkëpi”, vendet e quajtura “Skelë”, “Albano dhe Romina”, “Kepi i kalldrëmit”, lagjia “10 Korriku”, zona prej të cilave ka telefonata për ndihmë nga disa familje.

Shërbimet e Emergjencës së Prefekturës, Reparti Zjarrfikës dhe Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve janë në terren.

Në Durrës, niveli i ujit ka aritur deri në 25 cm në disa lagje të qytetit, duke bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Zonat më të prekura janë hyrja e qytetit, rrethrrotullimi i Stacionit të Trenit, zona e Stadiumit dhe shëtitorja Taulantia.

Bashkia njofton për probleme edhe në Plazh, Shkozet, ish –Kënetë.

Në Tiranë, ka përmbytje në zonën e Kombinatit, por edhe në disa lagje të tjera. Disa shtëpi banimi e biznese janë nën ujë.

Qindra automjete u bllokuan në trafik.

Edhe në Kamzë janë regjistruar përmbytje. Nën ujë janë shtëpi, biznese e parkingje makinash.

Rreshjet me intensitet po bien thuajse në mbarë vendin. /Lapsi.al