Reportazhi nga porti i Bilbaos, porta e pasme e shqiptarëve për të hyrë në Angli

Nga Bilbao, në veri të Spanjës, në Portsmouth, në bordin e trageteve që transportojnë mallra të tonazhit të lartë, fshehur mes kamionëve TIR dhe kontejnerëve, në pritje të zbarkimit në Angli. Presioni i emigrantëve klandestinë në “rrugën atlantike” është rritur, sidomos pas çmontimit të kampit të refugjatëve në Kalé, në bregun francez.

Lajme

16/09/2017 08:19

Për shumë emigrantë në largim nga vendet e origjinës, rruga baske është gjithmonë e më tepër një alternativë më e mirë se itineraret e tjerë kontinentalë që kanë provuar. Është porta e pasme për të hyrë në Angli.

Disa qindra emigrantë, të paktën 200, shumica shqiptarë, por edhe marokenë, algjerianë, pakistanezë, irakenë apo sirianë, janë strehuar prej javësh në çadra të ngritura pranë gardhit rrethues të portit të Zierbenas, një qendër e vogël rreth 20 km nga Bilbao, nga ku çdo javë nisen e pakta tre tragete mallrash në drejtim të Poole apo Portsmouth, në jug të Anglisë. Presin momentin e duhur për t’u futur në TIR-ët e mëdhenj apo në kontejnerë, të cilët shkojnë nga Gjiri i Biskajës në Angli.

Forcat e policisë spanjolle kanë interceptuar 119 klandestinë më 2015, 300 më 2016 dhe 1.346 që nga fillimi i këtij viti. Por ndërkaq, mijëra emigrantë kanë kaluar përmes kampit të ngritur me çadra në kushte ekstreme në Zierbena.

Kompanitë e lundrimit denoncojnë dëmet e shkaktuara nga trafiku dhe rreziku që sjellin udhëtimet e shpresës për emigrantët. “Shumë tentojnë të qëndrojnë varur në akset e rimorkiove të TIR-ëve, duke rrezikuar jetën”, thotë Manuel Pascual, i kompanisë Britanny Ferries Espaa, në një deklaratë për gazetarët.

Për çdo klandestin të kapur në traget, kompanitë detare duhet t’i paguajnë gjobë qeverisë britanike dhe të sigurojnë kthimin në pikën e nisjes. Por janë të shumtë ata që sapo kthehen në Bilbao riprovojnë sërish fatin.

Pjesa më e madhe e të rinjve në kampin në Zierbena janë të identifikuar dhe nuk sjellin probleme, sipas zëdhënësit të policisë spanjolle, Esteban Izquerdo.

“Shumica janë shqiptarë dhe mund të qëndrojnë këtu, sepse nuk kanë nevojë për vizë në zonën Schengen. Por u duhet për të zbarkuar në Britaninë e Madhe”. Shumica kthehen mbrapsht pasi arrijnë në Angli. Nga 1.346 emigrantët e interceptuar nga fillimi i vitit, vetëm 55 arritën t’i shpëtonin policisë britanike, të tjerët u kthyen në Spanjë.

Gjithsesi, mafia shqiptare po e përdor portin e Bilbaos si bazë për trafikun ilegal të qenieve njerëzore, sipas The Times, duke përfituar nga fakti që shqiptarët e parregullt janë përgjegjës për vetëm për “një shkelje të vogël administrative” në territorin evropian. Për kalimin deri në Portsmouth “u paguajnë deri në 2 mijë euro mafiozëve shqiptarë”.

Edhe sot qindra qëndrojnë pranë portit në Zierbena dhe pyjet aty pranë, duke bërë roje me radhë për të njoftuar për ardhjen e patrullave të policisë. Për të frenuar trafikun, në një aksion të përbashkët midis autoriteteve portuale të Bilbaos, policisë baske e asaj kombëtare, gardës civile, kapitenerisë detare, doganës e prefekturës, janë forcuar kontrollet gjatë 24 orëve, edhe mbi tragete, me sensorë me dioksid karboni për të zbuluar praninë e njerëzve në kontejnerë.

E megjithatë, deri tani nuk ka shërbyer për frenimin e fluksit në rritje në rrugën atlantike.

Marrë nga ANSA-Përgatiti: SYRI.net