Reforma në Drejtësi, diplomati gjerman viziton Tiranën

Gjermania do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje për reformën në drejtësi, për Shqipërinë. Duket se ky angazhim do të arrijë nivelet më të larta të diplomacisë, pasi më datë 14 qershor, ministri i Jashtëm i Gjermanise, Frank-Walter Steinmeier do të vizitojë Tiranën.

Lajme

10/06/2016 08:40

Në agjendë, veç takimit dhe konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij Ditmir Bushati, kreu i diplomacisë gjermane ka parashikuar që gjatë 6 orëve të qëndrimit në Tiranë, do të ketë dhe dy takime të rëndësishme me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ende nuk dihen mesazhet apo rekomandimet që Steinmeier do t’u adresojë dy palëve në takime, por ajo që mësohet është se kryefjala do të jetë reforma në drejtësi, shkruan Top Channel.

Gjermania shpesh herë, nëpërmjet zyrtarëve të saj të lartë, por edhe të ambasadorit të saj në Shqipëri ka kërkuar nga klasa politike miratimin e reformës në drejtësi.

Tashmë do të pritet data 14 qershor për të mësuar se çfarë Kancelarja Merkel, nëpërmjet ministrit të saj të Jashtëm, kërkon në këto momente nga klasa politike shqiptare./ lajmi.net.