Reduktimet e ujit do të vazhdojnë

Gjelosh Vataj thotë se reshjet që ditëve të fundit që ndodhen në vendin tonë ndikuan në rritjen e nivelit të liqeneve Batllavë e Badovc. Vataj thotë se liqeni i Badovcit do të fillojë të mbushet nga Ibër Lepenci brenda këtyre dhjetë ditëve.

Lajme

15/03/2014 07:43

Drejtori ekzekutiv i Korporatës së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” Gjelosh Vataj,  paralajmëron se liqeni i Badovcit do të fillojë të mbushet nga Ibër Lepenci brenda këtyre dhjetë ditëve.

“Këto reshje kanë ndikuar, ka një rritje të nivelit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit por nuk është ndonjë nivel i lartë, mund të flasim për centimetra. 80 centimetra është brenda 24 orëve por shpresojmë që do të ketë të reshura ende dhe të ketë rritje”.

“Problem është liqeni i Badovcit, brenda dhjetë ditëve do të fillojë të mbushet ai liqe”.

“Ne jemi duke punuar në një ndërrim të një sektori të gypit që është ndërtuar, dhe shpresoj që brenda kësaj jave ose fillimin e javës tjetër do të startojmë me mbushje të liqenit. Pjesa që ka qenë e dëmtuar do të ndërrohet”.

Vataj thotë se do të kursehet pjesa e liqenit të Badovcit dhe do të merret ujë prej Ibër Lepencit në mënyrë që të kursehet uji për stinën e verës ku uji i pijshëm është më shumë i konsumuar nga banorët.

Paralajmëron se pas 10 ditësh do të prodhohet 100% ujë më shumë për sekondë në liqenin e Badovcit se sa prodhohet tani.

“Kapaciteti i pompave që sjellë ujin nga Ibër Lepenci në liqenin e Batllavës është i njëjtë me kapacitetin përpunues ose prodhues të Badovcit, kështu që, ai nuk do të ndikojë në ngritjen e nivelit të liqenit, por do ta stopojmë, nuk do të marrim ujë prej liqenit por do të merret ujë prej Ibër Lepencit dhe liqeni të mbushet”.

“Do të kursehet ajo pjesë, që të merret ujë prej Ibër Lepencit dhe kështu të rritet liqeni dhe të ketë ujë, por shpresojmë me kapacitet të plotë sepse për momentin në Badovc i prodhojmë diku rreth 200 litra ujë në sekondë ndërsa nëse kemi me pas ujë mjaftë, po mësoj pas 10 ditësh, do të fillojmë t’i prodhojmë 400 litra ujë në sekondë do të thotë 100% më shumë se sa kaq”.

Por, pse po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë reduktimet ende?

“Reduktimet do të vazhdojnë sepse nivelet janë të ulëta, dhe ne nuk guxojmë që tash të rrezikojmë së paku deri në kohën e verës. Sepse, tash jemi në kohë të ftohtë, dhe nuk ka shpenzim enorm të ujit në qytet dhe në kohën e verës sigurisht do të jetë ky shpenzim”.

“Një proces që na përcjellë në kohën e verës është procesi i avullimit të ujit në liqe, që është 3 deri në 5 për qind të liqenit, prandaj në këtë duhet të kemi kujdes”, ka thënë Vataj.