Reagon HIB Petrol: Jemi në rregull

Kompania HIB Petrol ka mohuar se në shkollat e Prishtinës, ka furnizuar shkollat e kryeqytetit me vaj për djegie, në vend të naftës.

Lajme

19/03/2014 14:59

Kompania HIB Petrol, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, se kjo kompani ka furnizuar shkollat e kryeqyteti me vaj për djegie në vend të naftës. Sipas kompanisë, mostrat janë marrë në rezervarët e shkollave të komunës së Prishtinës .

Sipas tyre për gjendjen e rezervarëve në shkollat e Prishtinës, ata kanë kërkuar para 4 viteve, nga Komuna e Prishtinës pastrimin e tyre.

“Ato mostra nuk janë marrë nga rezervuarët tanë, por thuhet se janë marrë nga rezervuarët e shkollave të komunës së Prishtinës, për gjendjen e të cilëve ne nuk mund të mbajmë asnjë përgjegjësi”.

“Për gjendjen e tyre ne qysh para 4 viteve, në formë zyrtare të shkruar kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës kujdesin e shtuar ndaj këtyre rezervuarëve, gjegjësisht pastrimin e tyre”.

Të gjitha dorëzim-pranimet e derivateve janë bërë sipas kontratës dhe nafta e dorëzuar ka qenë e cilësisë me 10 ppm sipas standardeve evropiane”.

 “Më 15 janar kemi furnizuar me të njëjtën cisternë shkollat “Gjergj Fishta”, “Elena Gjika”, Medresja “Alaudin”, “Naim Frashëri” si dhe çerdhet “Xixëllonja”, “Ali Kelmendi” dhe “28 Nëntori”. Atëherë si ka mundësi që sasia e sulfurit në këto shkolla të dalë aq ndryshe nga njëra-tjetra kur ato të gjitha janë furnizuar me të njëjtën cisternë?”

“Derivatet që i ka furnizuar HIB-i, për shkolla janë vetëm të një lloji, të cilat përdoren edhe për gjeneratorët e shkollave, ndërsa gjeneratorët punojnë vetëm me naftë ose benzinë e kurrsesi me vaj për djegie”.

“Ne nuk mund të themi se kryetari i komunës së Prishtinës ka diçka personale me HIB-in, por është evidente se ai ka rënë pre e një lufte të pashpallur ekonomike që e ka inicuar dhe vazhdon ta bëj dikush tjetër, i ndihmuar për fat të keq edhe nga disa qarqe shumë agresive mediatike”.

“ Gjithashtu, zyrtarisht ne nuk kemi marrë njoftim për shkëputje të kontratës, por nëse marrim një gjë të tillë, ne mendojmë se kjo është e paligjshme dhe e paarsyeshme, prandaj ne do të kërkojmë mbrojtjen e të drejtave tona përmes gjykatës”.

“Kryetari i Komunës ka bërë shkelje ligjore kur përmes mediave ka deklaruar se do të bëj shkëputjen e kontratës, duke mos respektuar afatet ligjore për shkëputje të kontratës të cilat janë të specifikuara qartë”, thuhet në komunikatën e HIB Petrol.