Rashiq kundër dërgimit në Kushtetuese të 127-shit (Video)

Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq, i vetmi jashtë Listës Serbe, ka thënë të jetë kundër iniciativës për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të interpretojë nenin 127. 

Lajme

20/10/2014 12:47

Deputetët minoritar serb dhe ata jo serb po përgatisin një shkresë të cilën do të ja dërgojnë presidentes Jahjaga, nga do të kërkojnë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të interpretuar nenin 127 të vendimit të saj të mëparshëm, me qëllim që të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por jo të gjithë deputetët minoritar janë pro kësaj ideje. Nenad Rashiq, thotë se në parim është pro idesë, por nuk do ta nënshkruaj atë, për faktin se aty ekskluzivisht kërkohet evitimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Sa i përket kërkesës së minoriteteve që po dërgojnë sot tek Presidentja, unë prej fillimit kam thënë se e përkrah në aspektin politik dhe moral sepse duhet të sqarohen më shumë gjërat sepse pika 127 nuk tregon diçka më shumë detaje, përveç që deputetët duhet të bëjnë gjithçka që të gjejnë zgjidhje”.

“Por, nga ana teknike, ndoshta esenca është me vend por forma unë personalisht nuk pajtohem sepse në atë dokument, në një pjesë të saj thuhet se ‘duke u përpjekur që gjithqysh t’i shmangim zgjedhjet e reja ne si minoritete po e dërgojmë këtë shkresë’”.

“Unë së pari konsideroj që forma për t’i shmangur këtë proces demokratik nuk është sipas ligjeve dhe bazuar në demokracinë e vendit dhe nuk besoj që një përjashtim i tillë, kur thuhet se duke u përpjekur për të shmangur zgjedhjet e reja është mirë për vendin dhe bazuar në këtë dhe në informatat e fundit të zgjedhjeve të fundi, ne në komunitetin serb kemi pasur një numër të madh të votave të vjedhura. Bazuar në krejt këto gjëra dhe në orientimin politik të PDS-së, ne jemi pro zgjedhjeve të reja sepse besojmë që përfaqësimi i komunitetit serb në këtë moment në Parlamentin e Kosovës nuk është adekuat”.

Ky deputet serb pretendon se në zgjedhjet e fundit është dëmtuar nga manipulimi i votave që ka bërë Lista Serbe, dhe është ndër të paktit që kërkon shkuarjen në zgjedhje të reja.

Ndërsa, kur flet për Listën Serbe, Rashiq thotë se kjo parti është kundër zgjedhjeve të reja, pasi janë të vetëdijshëm se në çfarë forme të dyshimt i kanë mbledhur ato vota. 

“Absolutisht po. Sa e di unë prej fillimit ata kanë insistuar që t’i shmangin zgjedhjet e reja. Ne kemi informata, që ndoshta 60 për qind e votave të tyre kanë ardhur në forma të ndryshme, që do të thotë ne jemi pro zgjedhjeve por ata nuk janë”, tha Rashiq.