Raporti sekret i vitit ’87: Sportistët shqiptar doping, vjedhje e pornografi

Pjesëmarrja e ekipit kombëtar të Shqipërisë në futboll në finalet e Evropianit “Francë 2016”, padyshim që është një nga arritjet më të mëdha në të gjithë historinë e sportit shqiptar, që nga krijimi i tyre dhe deri më sot.

Lajme

08/06/2016 10:27

Por kjo nuk është hera e parë që futbolli shqiptar merr pjesë në garat evropiane. Para viteve ‘90, mjaft ekipe klubesh, si “Partizani”, “Vllaznia”, “17 Nëntori”, “Dinamo” e deri tek “Flamurtari” i Vlorës, (i cili kaloi disa ture në Kupat e Evropës), kanë bërë paraqitje dinjitoze në mjaft takime ndërkombëtare, duke arritur rezultate mjaft të kënaqshme për kohën dhe vendin tonë nga më të prapambeturit në kontinent.

Por, gjithashtu duhet thënë se ata sportistë i dhanë shumë sportit shqiptar, emrit të atdheut dhe morën pak prej tij, apo më saktë prej regjimit në fuqi të paraviteve ‘90. Por, kjo ishte e keqja më e vogël, pasi shumë sportistë, me dhjetëra, emra të mëdhenj të sportit shqiptar, nga ata që përmendëm pak më lart e plot të tjerë u bënë objekt demaskimi, u përjashtuan nga sportet, u internuan, u futën deri edhe nëpër burgjet e atij regjimi.

Dhe kjo jo vetëm për shkak të biografisë së tyre familjare, por edhe për shkaqe sa banale për atë kohë, aq edhe qesharake për brezin e të rinjve të sotëm, që nuk mund ta imagjinojnë dot sesi emrat të mëdhenj të futbollit shqiptar, si djemtë e “Flamurtarit” të Vlorës në gjysmën e viteve ‘80­të, që bënë të dridhen gjigandët e “Barcelonës”, u ndaluan në pikat tona doganore për një çakmak, orë dore, paketë cigare, shall grash, radiomagnetofon apo rrallë dhe një aparat televizori. Dhe për këtë fakt, shumë prej tyre përjashtuan nga sporti përgjithmonë, apo u dërguan në shatrat më të thellë të vendit, si disa prej futbollistëve të “Vllaznisë”.

Madje, nisur nga ajo që i priste këtë në Shqipëri, disa nuk u kthyen më fare dhe kërkuan azil politik, si disa futbollistë të “Vllaznisë” së Shkodrës në vitin 1977. Kjo gjë dëshmohet më së miri, edhe prej këtyre dokumenteve arkivore që po i botojmë të gjitha të plota në një cikël shkrimesh, duke filluar nga numri i sotëm. (Shënim, tituj në brendësi të shkrimit, janë redaksional).

Ja disa pjesë nga raportet sekrete për lëvizjet e sportistëve jashtë Shqipërisë:

“Me ndonjë përjashtim të rrallë përgjithësisht, kishin sjellë me vete edhe nga një radio­magnetofon, të cilët iu mbajtën nga dogana për kontroll dhe verifikim çmimi. Por, gjatë kontrollit të autobusit u gjetën të fshehura në vende shumë të maskuara një revistë tipike pornografike me fotografi të shëmtuara të këtij lloji, 2 byzylykë dore dhe një shall grash”.

“Vitin e kaluar në Bullgari, disa lojtarë të ekipit kombëtar të futbollit të të rinjve u kapën duke vjedhur. Në shtator të këtij viti po në këtë shtet, u kapën duke vjedhur dy vajza të ekipit kombëtar të volejbollit dhe së fundi në Finlandë, 4 lojtarë të ekipit “Vllaznia” u kapën me vjedhje nga policia finlandeze”.

“Para dy vjetësh u arratisën dy peshëngritës në Jugosllavi. Në muajin shtator të këtij viti, në Greqi u arratis përkthyesi i ekipit “Vllaznia” dhe pas një muaji, në tetor, arratisen po në Greqi dy futbollistë të ekipit të futbollit “Vllaznia”

Këtu mund ta lexoni shkrimin e plotë