Rama ‘thumbon’ anglezët: Me sa duket, s’dinë të sillen si evropianë

Mes mijëra tifozëve shqiptarë që mbushën shkallët e stadiumit, rrugët dhe sheshet e Lensit në Francë, ndodhej edhe Kryeministri Edi Rama.

Lajme

11/06/2016 21:20

Në përfundim të takimit, Top Channel bisedoi me të mbi përshtypjet që i la dhe që në portretin e tij vihej re dëshpërimi për humbjen aspak të merituar të kuqezinjve.

“Mund të kishim marrë të paktën një pikë. Skuadra luajti në mënyrë të jashtëzakonshme, la përshtypje të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Sa i takon shpresave të për të kaluar grupin…

“Unë them që jemi kualifikuar që kur erdhëm këtu. Kemi ardhur që të marrim pjesë me dinjitet dhe nuk duhet t’u kërkojmë këtyre djemve që të fitojnë kupën. Por sigurisht, pas kësaj ndeshje mbetet peng se përse nuk morëm një pikë”, thotë Kryeministri.

Rama vlerësoi edhe sjelljen e tifozerisë nga ku gjeti rast të thumbojë edhe anglezët.

“Lensi ka qenë i pushtuar që mbrëmë. Takova prefekten e zonës që më tha që jemi shumë mirënjohës për shqiptarët që erdhën në numra të frikshëm dhe në fillim priteshin me frikë, sollën shumë gëzim dhe entuziazëm në qytet, sepse faktikisht nuk ndodhi asgjë nga ato që ndodhin aty ku kanë vajtur anglezët, që mesa duket nuk dinë të sillen si evropianë. Shqiptarët kanë qenë sot shumë të privilegjuar”, u shpreh Rama.