Rama sqaron keqkuptimet: Ja çdo të thotë të mësosh mbi fenë

Përkundrejt shqetësimeve dhe polemikave për projektin e qeverisë për të përfshirë një lëndë mbi kulturën e feve në shkolla, kryeministri Edi Rama sqaroi sot se ideja e të mësuarit mbi fenë nuk do të cenojë laicitetin.

Lajme

11/04/2016 23:18

“Vula e sigurisë së këtij programi është fakti se po përgatitet, qysh në bërthamën e vet, në bashkëpunim të ngushtë me Observatorin e Laicitetit në Paris”, theksoi kryeministri.

Sipas Ramës, ideja e të mësuarit mbi fenë në shkolla, “s’ka asnjë lidhje me çka është komentuar fare gabimisht, si mësim i fesë në shkollë”.

“Është një program që nuk do cenojë kurrsesi laicitetin e shkollës. Ai do të pajisë të rinjtë qysh në shkollë me disa njohuri bazë, për të kultivuar respektin për besimin e tjetrit dhe për të mos rënë pre e rrjeteve të propagandës ekstremiste, në emër të një feje apo kundër një feje tjetër”, sqaroi kryeministri.