Rama përgëzon Zaevin për gjuhën shqipe dhe “Ohrin”

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama ka përgëzuar kryeministrin Zaev për kurajon e vendosmërinë për axhendën e tij programore, e veçanërisht për mbajtjen e zotimit madhor për gjuhën shqipe.

Lajme

15/12/2017 16:34

 

“Dua ta përgëzoj kryeministrin Zaev për kurajon dhe vendosmërinë për axhendën e tij programore e elektorale, si dhe njehsimin e ligjit të gjuhëve në Parlament, e për mbajtjen e zotimit madhor lidhur me gjuhën shqipe. Presim që ligji të kalojë e të nisë zbatimi sa më shpejt. Kështu forcohet më shumë themeli i Maqedonisë së të ardhmes”, tha Rama.

Rama shtoi se në mbledhje u fol edhe për “Marrëveshjen e Ohrit”.

“Jemi të inkurajuar nga vizioni, kurajoja dhe vullneti i kryeministrit Zaev për ta çuar përpara dhe për ta mbyllur këtë kapitull me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët, për t’i dhënë fund një historie ku konfliktet na kthehen si pengesa”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Në fund, edhe një fjalë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, si për turizmin, ashtu edhe për trashëgiminë botërore të njerëzimit.

“Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është identifikuar si një masë me rëndësi të veçantë dhe e dimë mirë se dy shtetet kanë një pasuri jo vetëm të tyren, por një pasuri që konsiderohet trashëgimi botërore e njerëzimit nga UNESCO. Këtu duhen fokusuar investimet nga të dyja anët e kufirit. Jemi optimistë sa i përket integrimit të tregut energjetik mes dy vendeve dhe rajonit. Jemi të interesuar për përmirësimin e standardeve për prurjet turistike dhe vëllimit tregtar. Në mbledhjen e dytë mes dy qeverive të kemi një pikë “one stop shop” në pikën doganore të Qafë Thanës”, tha Rama.