Rama njofton rihapjen e Parkut Arkeologjik të Apollonisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka filluar këtë javë me një lajm të mirë.

ShowBiz

27/03/2017 09:47

Ai njofton rihapjen e Parkut Arkeologjik të Apollonisë, i cili prej kohës po restaurohej. Rama me anë të një statusi në “Facebook” e quan këtë ndërhyrje, si më të rëndësishmen e 30 viteve.

Puna për këtë park ka filluar që prej janarit të vitit 2016. Së bashku me të janë rikonstruktuar gjithashtu edhe monumentet brenda hapësirës së Manastirit bashkë me Portikun e Statujave, Trapezarinë, Kishën, depon Arkeologjike, Muzeun, dhe hapësirat panoramike përreth zonës së Parkut, shkruan gazeta Shekulli.

Statusi i plotë i kryeministrit Rama:

Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë imazh ikonik të Parkut Arkeologjik të Apollonisë.

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se në prill do të shfaqen të rilindura thesaret e këtij parku, pas ndërhyrjes më të madhe restauruese të 30 vjetëve të fundit, e cila u ndërmor qysh prej janarit 2016 nga një skuadër ekspertësh të spikatur.

Ky restaurim shembullor, ka përfshirë monumentet brenda hapësirës së Manastirit bashkë me Portikun e Statujave, Trapezarinë, Kishën, depon Arkeologjike, Muzeun, dhe hapësirat panoramike përreth zonës së Parkut.

Parku Arkeologjik i Apollonisë do të ketë Portën e Jugut si hyrjen e tij të re, ku ju sugjeroj të mos e humbisni rastin për të hyrë në një botë magjepsëse.