Rakiq paralajmëron heqjen e “Adem Jasharit”

Kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq ka thënë të enjten se vendosja e vazos së betonit me emrin Adem Jashari në ‘Lagjen e boshnjakëve’, në veri të Mitrovicës, është bërë pa lejen e organeve komunale.

Lajme

10/07/2014 18:36

Ai ka paralajmëruar largimin e ‘Adem Jasharit’. Sipas Rakiq, aktivitetet jolegale nuk kontribuojnë në stabilizimin e situatës në Mitrovicë.

“Pres të mbizotërojë arsyeja dhe që organet gjegjëse, para së gjithash policia dhe inspektorati, të kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet”, ka thënë Rakiq.

Rreth sheshit të ndërtuar mbrëmë nga shqiptarët e veriut ka reaguar edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Ksenija Bozhoviq, e cila ka kërkuar ndërprerjen e të gjitha ndërtimeve që nuk kanë leje nga Kuvendi Komunal.

“Paralajmërojmë qytetarët se të gjitha punimet ndërtimore pa lejen e Kuvendit Komunal, e cila është përgjegjëse për definimin e pronës komunale, do t’i konsiderojmë jolegale dhe si të tilla do të largohen nga organet gjegjëse komunale”, ka thënë mes tjerash Bozhoviq, raporton Kosovapress.