Rakiq i reagon Thaçit: Serbët kurrë s’e lejojnë bashkimin e Mitrovicës

Presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka shfaqur mbështetjen për kërkesën e kryetarit të Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, për bashkimin e këtij qyteti.

Lajme

22/01/2019 23:26

Kryetari i Listës Serbe dhe kryetar në dorëheqje i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka thënë se serbët nuk do ta lejojnë bashkimin e Mitrovicës Veriore dhe Jugore.

Sipas Rakiqit bashkimi i Mitrovicës, për të cilin ka folur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, “është një mbulesë për spastrimin etnik të serbëve nga qyteti i vetëm, në të cilin ata i mbijetuan spastrimin etnik të vitit 1999″, transmeton lajmi.net.

“Sulmi i fundit Hashim Thaçi në paqe në Kosovë dhe Metohi është mishëruar në shpalljen e aneksimit të Mitrovicës së Veriut, sepse kjo është ajo që mendon ai kur flet për një lloj të bashkimit. Më shumë se 1.000 sulme që kanë kryer disa miq të Thaçit kundër serbëve në urën kryesore nga viti 1999 e deri më sot, kanë pasur për qëllim që të mos ketë serbë në veri, ashtu siç nuk ka në pjesën jugore të Mitrovicës “, ka thënë Rakiq në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Mes tjerash, Rakiq thotë se serbët janë angazhuar për paqe dhe bashkëjetesë me të gjithë duke e ruajtur, siç e quajti ai, karakterin multietnik të qytetit verior.

Ai deklaroi se serbët do ta ruajnë “paqen dhe të drejtën për jetë dhe liri” me ndihmën e shtetit të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka shfaqur mbështetjen për kërkesën e kryetarit të Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, për bashkimin e këtij qyteti.

”Bashkimi i qytetit të Mitrovicës është proces i pandalshëm. Në takim me kryetarin Bahtiri konstatuam se qytetarët e Mitrovicës e kanë thënë fjalën e tyre. Tani e kanë radhën të veprojnë institucionet: Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca”, ka shkruar Thaçi në profilin tij në Facebook. /Lajmi.net/