RAE kërkon legalizim të objekteve të banimit në Gjakovë

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila të hënën ka zhvilluar takim pune me banorët e tri komuniteteve pakicë rom, ashkali dhe egjiptian, në lagjen Brekoc.

Lajme

23/03/2015 22:41

Në këtë takim janë diskutuar tema të ndryshme që preokupojnë banorët e kësaj zone të qytetit, duke filluar nga çështja e punësimit, ngritja e mirëqenies sociale, strehimit, ambientit dhe tema tjera me interes për këto tri komunitete.

Banorët kanë paraqitur një brengë të veçantë para të parë s ë Gjakovës për çështjen e legalizimit të objekteve të banimit.

Shumë familje të këtyre komuniteteve kanë ndërtuar objekte banimi në zonën e bregut të lumit Ereniku kohë më parë, por edhe në pjesën e lartë mbi këtë lum, dhe është kërkuar nga Kusari-Lila që të gjendet një zgjidhje e favorshme për legalizimin e këtyre objekteve.

Kryetarja e Gjakovës ka bërë të ditur se nuk ka leje dhe as legalizim për këto objekte të ndërtuara në zonën e shtratit të lumit Ereniku.

“Ndërsa, sa i përket objekteve tjera të banimit në këtë zonë, administrata e Komunës, përmes drejtorisë përkatëse, do ta studiojë terrenin dhe do të definojë më tutje çështjen”, ka thënë Kusari-Lila.

Në fushën e asistencës sociale, është thënë se kjo çështje është në kompetencë të ministrisë përkatëse dhe se Komuna nuk mund të ketë ndërhyrje direkte.

Po ashtu, Kryetarja ka theksuar se Gjakova vazhdon të ketë një kontribut të madh në përfshirjen sa më të madhe të komuniteteve pakicë në arsim, dhe në vazhdimësi po punohet që të përmirësohet mirëqenia ekonomike dhe sociale e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve.