Qyteti 2000 vjeçar i rrezikuar nga ISIS-i (Foto&Video)

Militantët e “Shtetit Islamik” kanë hyrë në qytetin antik Palmyra, pasi morën nën kontroll qytetin e banuar, Tadmur, prej ku ditët e fundit u larguan dhjetëra mijëra qytetarë.

Bota

21/05/2015 12:29

Observatori sirian me seli në Londër, ka njoftuar se nuk ka raporte ende të shkatërrimit të mundshëm të artefakteve, gjë që militantët e kanë bërë në të kaluarën, qoftë në Siri apo në Irak, ndaj monumenteve që datojnë para Islamit.

Forcat qeveritare të regjimit të presidentit Bashar al-Assad u larguan nga Tadmur dhe së bashku me ta u larguan edhe dhjetëra mijëra qytetarë, për të shpëtuar nga vrasjet dhe torturat e militantëve të grupit “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë”, që vitin e kaluar shpallën kalifatin e tyre në territoret e pushtuara të këtyre dy shteteve, të quajtur “Shteti Islamik”.

Më shumë se 100 trupa qeveritare u vranë një ditë më parë në mbrojtje të qytetit Palmyra (një trashëgimi botërore e njohur nga UNESCO), por u detyruan të largohen prej aty nga rreziku i disfatës edhe më të madhe.

Qindra statuja janë larguar për shkaqe sigurie prej kohësh nga Palmyra, por monumentet e mëdha nga pjesa qendrore e qytetit të lashtë, nuk mund të zhvendoseshin.

“Kjo është betejë e të gjithë botës”, tha drejtori sirian i Departamentit për artefaktet antike, Maamoun Abdul Karim. Ai i bëri thirrje koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të parandalojë shkatërrimin e këtij qyteti të lashtë nga militantët e ISIS-it.

Palmyra zë një vend të rëndësishëm në historinë e Lindjes së Mesme. Qyteti lulëzoi në shekullin I-rë dhe të II-të nën sundimin e Romës, por në shekullin e tretë udhëheqësit e qytetit Palmyra u fuqizuan aq shumë sa që arritën të largojnë sundimin romak, duke krijuar një perandori të tyren që shtrihej nga Turqia në Egjipt.

Palmyra ishte një arritje e madhe e qytetërimit në Lindjen e Mesme, ishte ndryshe nga çdo qytet tjetër i Perandorisë Romake. Ashtu sikurse Venecia, qyteti u bë qendër e një rrjeti të gjerë tregtarësh, vetëm se në Palmyra shkretëtira zëvendësonte detin, ndërsa devet përdoreshin në vend të anijeve.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, ka thënë se është shumë e shqetësuar për fatin e këtij qyteti, që dikur ishte qendra më e rëndësishme kulturore në Lindjen e Mesme dhe një nga qendrat më të rëndësishme të trashigimisë botërore në ditët e sotme.

Militantët që deri më tani kanë shkatërruar gjithçka që nuk ka të bëjë me kohën e Islamit, sipas BBC-së ishin të fokusuar për të marrë qytetin antik dhe vendbanimin e sotëm pran tij, pasi aty kryqëzohen rrugët dhe shumë afër ndodhet edhe fushat e naftës.

Koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj pozicioneve të grupit xhihadist që nga shtatori 2014. Megjithatë, Washingtoni pohon se nuk do të koordinojë veprimet e tij me regjimin e Assadit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë dërguar 1000 raketa anti-tank për qeverinë e Irakut, pas rënies së kryeqytetit të provicës Anbar, Ramadi, nën kontrollin e “Shtetit Islamik”.

YouTube player