Qeveria sot me dy mbledhje brenda ditës

Kryeministri Ramush Haradinaj erdhi në krye të Qeverisë së Kosovës me zotimin se do ta rrëzojë marrëveshjen aktuale të Demarkacionit me Malin e Zi, por duket se për këtë i ka rënë ‘pishman’ gjatë rrugës.

Lajme

20/02/2018 07:39

Kjo pasi, nga kundërshtimi i pakompromis i para disa muajsh, Haradinaj është bërë shtyesi më i madh i çështjes së Demarkacionit, shkruan gazetametro.net.

Menjëherë pasi u arrit një marrëveshje më Malin e Zi për vendosjen e një aneksi në marrëveshjen kryesore, Haradinaj ka bërë çmos që ta mbyllë Demarkacionin, ani pse disa herë e ka përmendur ditëve të fundit që nuk janë numrat, i cili fakt po e mërzit tash ani pse kohë më parë e gëzonte.

E për t’u vërtetuar zelli i Haradinajt në ratifikimin e Demarkacionit, po shihet edhe një agjendë e pazakontë e Qeverisë. Siç nuk ka ndodhur shpesh, Qeveria sot mblidhet dy herë. Mbledhja e parë do të mbahet në orën 10:00, ndërkaq ajo e dyta në orën 15:00.

Metro mëson se në mbledhjen e parë do të vendoset për rikthimin e marrëveshjes që ishte dërguar më herët në Kuvend, e më pas do të thirret mbledhja e dytë ku do të vendoset për procedimin e të njëjtës marrëveshje vetëm me një aneks më tepër për t’u ratifikuar.

Ndërkohë, problemi i numrave po vazhdon. Edhe Haradinaj e ka pranuar se i mungojnë edhe tri vota për ta kaluar demarkacionin, duke shtuar se Lista Serbe nuk është e sigurtë në votim.

Ndryshe, Demarkacioni me Malin e Zi që është kusht për vizat është mbajtur i bllokuar qe gati tri vite, e i pari që nisi kundërshtimin ishte kryeministri aktual, i cili tash po dëshiron vetë ta miratojë.