Qeveria i raporton Kuvendit, jo partive politike

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet thirrjes së ultimatumit për shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviq.

Lajme

25/01/2015 17:46

Këtë ultimatum ia kanë dhënë partitë opozitare të cilat dje kanë organizuar një protestë në Prishtinë.

“Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Neni 97, rrjedhimisht Qeveria nuk trajton kërkesa të partive politike opozitare”, ka thënë për Koha Ditore ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi, që njëherësh është edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Abrashi ka thënë më tej se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, shprehin konsideratë për shqetësimet dhe pakënaqësitë të cilësdo natyrë.

“Por njëkohësisht fton të gjitha palët që shqetësimet dhe kërkesat t’i adresojnë nëpërmes proceseve dhe kanaleve institucionale. Ne inkurajojmë shprehjen e shqetësimeve në kuadër të institucioneve, dhe assesi përmes presionit, e dhunës. Pra, ne refuzojmë kategorikisht logjikën e ultimatumeve me sfond dhunën e kaosin”, ka thënë Abrashi.

Albin Kurti i Vetëvendosjes në protestën e së shtunës i ka dhënë 48 orë afat kryeministrit Isa Mustafa, që ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq, në të kundërtën Kurti ka lënë takim me protestuesit të martën, një ditë pas kalimit të ultimatumit që në orën 12:00 të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë.

Jabllanoviq i kishte quajtur egërsira nënat gjakovare që po protestonin kundër hyrjes së pelegrinëve serbë në kishën në Gjakovë, derisa ato ende nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ministri i Srpskas, Aleksandër Jabllanoviq, kishte kërkuar falje për deklaratën e tij, transmeton koha.net.