Qeveria e Shqipërisë dhe Maqedonisë, në muajin ardhshëm mbajnë mbledhje të përbashkët

Nga Shkupi, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në muajt në vijim qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.

Lajme

17/10/2017 10:46

Mbledhja e dy qeverive do të bëhet në kuadër të forcimit dhe intensifikimit të shkëmbimeve tregtare mes vendeve. Ende nuk është bërë e ditur se kur dhe ku do të zhvillohet kjo mbledhje, e cila për nga formati i përngjan asaj mes Shqipërisë e Kosovës.

Njoftimi i kryeministrisë:

Kryeministri Edi  Rama ndodhet në Shkup për një vizitë pune dhe do të marrë pjesë në Samitin rajonal “100 liderë në biznes nga Europa Juglindore – Ndërlidhja” me fokus biznesin dhe ndërveprimin ekonomik mes vendeve.

Në kuadër të këtij samiti, Kryeministri Rama u prit nga Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe intensifikimi i shkëmbimeve tregtare.

Për t’i dhënë nxitje këtij bashkëpunimi dhe lehtësuar ndërveprimin ekonomik mes vendeve, dy kryeministrat u dakordësuan për mbajtjen në muajt e ardhshëm të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive shqiptare dhe maqedonase. Ministritë e Jashtme të të dy vendeve do të përgatisin axhenden e mbledhjes, si dhe do të përcaktojnë kohën e mbajtjes së mbledhjes të dy qeverive.

Liderë nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues nga fusha e biznesit nga Europa Juglindore dhe përfaqësues nga Bashkimi Europian do jenë pjesë e Samitit.