Qeveria e bllokut opozitar, e paqëndrueshme dhe joparimore

“Qeveria e Shpresës” nuk është parimore dhe nuk është e qëndrueshme, tha analisti Lumir Abdixhiku, sipas të cilit përafrimi i partive opozitare, ndonëse një shenjë e mirë, është mjaft e vonshme.

Lajme

10/07/2014 22:44

Abdixhiku, duke folur në emisionin “Zona B” në Klan Kosova, ka thënë se në parim ky bashkim i opozitës është gabim, sepse sipas tij po shkohet drejt zgjedhjes së një të keqe më të vogël.

“Bashkimi i këtyre partive është një sinjal i një reflektimi, por është i vonshëm.  Ky qëndrim i LDK-së dhe i Vetëvendosjes është heqja e së keqes më të madhe ndaj një të keqe më të vogël. Unë mendoj se këtu është gabimi”.

Abdixhiku mendon se koalicioni i opozitës mund të jetë më i mirë sesa një qeverisje nga PDK, por thotë se partitë që përbëjnë këtë koalicion janë bashkuar jo në bazë të parimeve, andaj ai një bashkim të tillë e sheh si të paqëndrueshëm.

“Qeverisja e emergjencës ëshët qeverisje e euforisë. A është koalicioni i opozitës më i mirë se PDK-ja, unë mendoj se po, por a është i keq, unë them se po”.

“Kjo qeverisje emergjente është pa parime, ka parti të djathta dhe të majta. Rreziku enorm i këtij kombimini është zgjatja e jetës së PDK-së”, tha Abdixhiku.

“Kjo qeverisje e re që po krijohet nuk është e qëndrueshme, nuk është parimore. Unë këtë qeveri e shoh shumë afatshkurtër”.

“Nëse ndodhë një kolacion i emergjencës, kam përshtypje që nuk do të ketë progres në Kosovë”, tha pos tjerash Abdixhiku për Klan Kosova.