Qentë me pronarë do të regjistrohen në polici

Çdo person që posedon një qen i cili i përket një race agresive, duhet ta regjistrojë atë. Sipas masave të reja ligjore, të cilat do të propozohen nga Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë, për pronarët parashikohen deri në 10 vite burg për mos respektim të këtyre masave.

Lajme

19/06/2016 17:11

Për drejtorin e Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Edi Fero, amendimet e reja në ligjin për veterinarinë do të dërgohen për miratim në Kuvend brenda muajit shtator:

“Do ketë disa sanksione akoma më të rrepta që do të jenë nga gjoba, që ne aktualisht i kemi 50-200 mijë lekë të vjetër, por do ketë penalitete edhe më të forta, siç janë deri në 10 vite burg”, thotë ai për “Ora News”.

Një tjetër ndryshim në ligjin për veterinarinë do të jetë edhe regjistrimi i detyrueshëm nga ana e pronarëve të qenve të tyre në polici.

“Aktualisht, ne po fillojmë të punojmë në lidhje me bazën ligjore për identifikim dhe regjistrim të të gjithë kafshëve me pronarë, që janë një potencial i mundshëm për t’u kthyer në qen endacak, pasi një pjesë e mirë e pronarëve, pasi u del qejfi i lëshojnë në rrugë. Unë mendoj që jo më larg se tetori do të kryhet e gjithë procedura që të gjithë këta qen me pronarë të regjistrohen nëpërmjet një baze të dhënash që do të ketë”.

Këto ndryshime në ligjin për veterinarinë vinë pas publikimit në media të videove ku qentë e racave të rrezikshme si Pitbull apo Rodvailer lëvizin pa maska në hapësira publike duke u shndërruar kështu në rrezik për qytetarët.