Punonjësi i sigurisë: Grabitësi më tha ‘do të t’i hedh trutë në erë’

Punonjësi i sigurisë së agjencisë ku u vodhën 180 mijë dollarë tre ditë më parë tek Sheratoni, Besnik Xheka ka treguar momentet e ngjarjes kur u sulmuan nga dy grabitësit në mes të ditës.

Lajme

28/04/2016 11:41

Në një intervistë për gazetën ‘Panorama’, Xheka thotë se njëri nga autorët i vendosi një send të fortë dhe e kërcënoi mos të bënte asnjë lëvizje, duke i thënë se do t’ia hidhte trutë në erë. Ai këmbëngul se personi që e kërcënoi ishte me një maskë të zezë dhe sipër kishte kokore.

“Po ecnim në këmbë nga ku dolëm nga banka e deri te trau, pas të cilit kishte ndaluar shoferi që po na priste në makinë. Kur kemi qenë afër traut, pra në cep të lulishtes që është para hotelit, më është afruar një person dhe më ka mbështetur një objekt të fortë, diku afër brinjve. Nuk e pashë se çfarë ishte. Thjesht ndjeva diçka të fortë në brinjë dhe ai më tha: “Mos lëviz se t’i hodha trutë në erë”.

Nuk dija çfarë të bëja e si të veproja. Kishte një çorape të errët të vendosur në kokë dhe vetëm sytë kishte jashtë. Kishte edhe kokore. Më pas më ka goditur me shkelm dhe nisi të vrapojë. U ktheva nga Sajmiri dhe e pyeta nëse e kishte çantën me lekë apo jo. Por, ai më tha që ia morën”, shprehet punonjësi i sigurisë Besnik Xheka në një intervistë për gazetën ‘Panorama’.